Transmetuar më 01-09-2016, 00:42

Pamje nga epiqendra e tërmetit

Një tërmet me fuqi 4.3 ballë të shkallës Rihter u regjistrua në hyrje të ditës së enjte 1 shtator 2016.

Epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 00.21 ishte 49 kilometra në jug të Tiranës, me vatër 15 kilometra larg qytetit të Librazhdit dhe 17 kilometra në lindje të Vevçanit të Maqedonisë, raporton NOA.al duke cituar burime zyrtare nga Instituti i Sizmologjisë në Tiranë. Thellësia e tërmetit ishte dy kilometra.

Tërmeti u ndje në të gjithë Shqipërinë e Mesme e më gjerë në juglindje, ku më shumë në Pogradec si dhe në gjysmën e Maqedonisë.

Në Shqipëri, ky tërmet më së shumti u ndje në Elbasan ku qytetarët thonë se ishte një lëkundje sizmike që i shkundi ndërsa shumë prej tyre flinin gjumë pas mesnate.

Nuk ka raportime për dëme materiale nga ky tërmet.

Pas lëkundjes 4.3 ballë ndodhin edhe 5 tërmete të tjera

Një orë e gjysmë pas tërmetit që “shkundi” dy vendet, ndodhën edhe pesë tërmete të tjera, i tha NOA-s, Instituti Sizmologjik në Tiranë.

Tërmeti i dytë ndodhi në 00.33 me epiqendër në Lunik, 12 kilometra në veri të Librazhdit. Ai ishte 2.7 ballë dhe u regjistrua me thellësi 4 km.

I treti ndodhi më 00.50, 2.9 ballë, sërish në të njëjtën epiqendër, por me thellësi vetëm një km.

Tërmeti i katërt u regjistrua në 01.14, 2.7 ballë dhe sërish me epiqendër në Lunik.

Tërmeti i fundit ndodhi në orën 01.52 me epiqendër në Lunik, 11 kilometra në veri të Librazhdit. Ai ishte 2.3 ballë dhe me thellësi tetë kilometra.

Dëshmitë e banorëve

Pak minuta pas tërmetit që “shkundi” shumë njerëz në Shqipëri dhe Maqedoni, ku një pjesë e mirë ishin në gjumë, vijnë dëshmitë e para që NOA.al jua sjell më poshtë:

A.K., një 36 vjeçar me banim në qytetin e Elbasanit, pohon se tërmeti ishte i fortë: “Ishte i frikshëm. Na shkundi. Unë që jam në katin e dhjetë të një pallati këtu në qendër të Elbasanit, e ndjeva shumë. Por edhe të tjerë në katet më të ulëta e në gjithë qytetin”.

Një tjetër banor i Elbasanit, tregon: “U trembëm shumë. Mendoj se zgjati 2 sekonda, por menjëherë vrapuam tek dera. Mendonim në çdo çast tërmetin e frikshëm që ndodhi para pak ditësh në Itali”.

Po nga Elbasani, dëshmon një tjetër banor: “Jetoj në një shtëpi në katin e pestë këtu në Elbasan. Isha në krevat kur ndjeva shkundjen. U tremba shumë kur shtrati im nisi të dridhet”.

Nga Tirana, një banor i saj, u shpreh: “E ndjeva tërmetin. Jo i fortë, jo për t’u trembur”.

Por të tjerë nga Tirana, japin dëshmi të ndryshme: Njëri shprehet: “Krevati im u drodh”. Një i tretë shton: “Zot i madh na ruaj”.

Kurse një banor tjetër i Tiranës, detajon: “Ndjeva lëkundje horizontale. Jam me shtëpi në katin e shtatë të një pallati dhe u tremba”.

Një tjetër po në Tiranë, duke raportuar dëshminë e tij tek portali evropian i regjistrimit të tërmeteve, pohon: “Ishte tërmet që të trembte. Ndjeva krevatin tim të dridhej, dukej sikur po lëvizte, ishte lëkundje horizontale”.

Një qytetar me banim në Boroec, 16 kilometra larg epiqendrës së tërmetit, tha se ishte një lëkundje e fortë.

Një tjetër qytetar, nga Struga, 26 kilometra larg epiqendrës, tha se ndjeu një shkundje të fortë në banesën e tij në katin e katërt të një pallati. “I frikshëm”, thotë ai.

Ndërsa një tjetër banor i Strugës, thotë: “Tërmeti ishte i shkurtër por na trembi shumë të gjithëve këtu në Strugë”.

“I fortë” ky tërmet, thotë një tjetër qytetar, nga Dibra e Madhe në Maqedoni.

Sakaq, A.D, banor i Librazhdit, në komentin e tij te lajmi i NOA.al në Facebook, pohon se “në Librazhd u ndje shumë”. Ai shton: Thonë që ishte 4.2 ballë, por katet e larta janë ato që e ndjejnë. Unë jam në punë, ra goxha”.

J.M. që jeton në Selanik, shprehet e shqetësuar: “Mbaje dorën e Zot”, – thotë ajo.

Kurse D.T. nga Përrenjasi pohon se “ishte një lëkundje shumë e frikshme”.

T.B nga kryeqyteti pohon se “tërmeti u ndje dhe në Tiranë”.

Kurse S.Ll nga Tirana thotë se ajo jeton te zona e Bërrylit dhe nuk e ndjeu në vilën ku jeton në katin e dytë.

I.D. nga Elbasani pohon se ishte “lëkundje shumë e fortë”. /noa.al/