Transmetuar më 31-08-2016, 23:18

Pas kaq muajsh që vendi ndodhet në kaos politik, më në fund është caktuar një datë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, do të mbahen më 11 dhjetor. Kështu kanë vendosur liderët e katër partive kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike pas një vlerësimi pozitiv që kanë dhënë për zbatimin e pikave të kësaj marrëveshjeje të arritur në korrik të këtij viti.

Vendimi është i përsëritur nëse kujtojmë edhe datat e shpallura në pranverë dhe në fillim vere, ku veç Gruevskit të VMRO-DPMNE asnjë parti tjetër nuk pranoi të futet në proces.

Në takimin e zhvilluar në Klubin e Deputetëve në Shkup, morën pjesë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i PDSH-së Menduh Thaçi, i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe i LSDM-së Zoran Zaev.

Ata kishin si qëllim të vlerësonin nëse janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-së Xhes Bjeli dhe përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, si ndërmjetësues të Marrëveshje së Përzhinës.

Sipas marrëveshjes, 100 ditë para zgjedhjeve opozita duhet të emërojë kryeredaktor dhe përgjegjës të ri në RTVM.

Në tryezën e sotme që vazhdoi edhe gjatë mbrëmjes, partitë, për të gjitha çështjet kishin qëndrime të njëjta, përveçse për anëtarin e pestë të komisionit ad-hoc për monitorimin e mediave.

I pari nga takimi është larguar, ish kryeministri, Nikolla Gruevski duke njoftuar se partia e tij VMRO-DPMNE kishte pranuar të gjitha kërkesat e opozitës për t’i pamundësuar siç tha ai, ikjen e opozitës nga zgjedhjet.

“Që të mos i japim mundësi që sërish të ikin nga zgjedhjet apo që të kërkojnë alibi për shtyrjen e tyre, ne kemi pranuar të gjithë kërkesat e opozitës. Kemi pranuar propozimin e tyre që Santa Argirovska të jetë redaktore përgjegjëse e transmetuesit publik përkundër faktit se bëhet fjalë për një kuadër me përvojë në radhët e LSDM. Me këtë, LSDM ka konfirmuar se nuk është e gatshme që të pranojë zgjedhje për këtë media. Kemi pranuar edhe metodologjinë e monitorimit të informimit nga agjencia e medieve. Kemi pranuar gjithashtu çfarëdo zgjidhjeje për anëtarin e pestë të komisionit ad-hoc”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, ish-kryeministri shumëvjeçar, Nikolla Gruevski.

Partitë edhe paraprakisht kanë dhënë vlerësime për të gjitha pikat e marrëveshjes ndërsa deri në fund të javës duhet të krijohet qeveria kalimtare me pjesëmarrjen edhe të LSDM-së, opozitare.

LSDM do të drejtojë Ministrinë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale si dhe do të ketë dy zv/ministra. Pikat tjera kontestuese kishin të bënin me pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në media. Lista e votuesve është mbyllur me marrjen e së drejtës së votës të rreth 30 mijë shtetasve, të cilët deri në një afat të caktuar nga partitë nuk janë paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjen për të verifikuar të dhënat personale dhe për të ruajtur të drejtën e votës.

Jashtë listës kryesore kanë mbetur edhe 170 mijë votues të tjerë duke u zhvendosur në një listë të posaçme në të cilën kryesisht janë përfshirë shtetas të jetojnë përkohësisht jashtë vendit, raporton me detaje RFE.

Lista zgjedhore kishte shkaktuar reagime të shumta në opinion për shkak të pretendimeve të partive jashtëparlamentare shqiptare se jashtë listës zgjedhore kanë mbetur kryesisht votues shqiptarë.

Sa i përket medieve, partitë janë marrë vesh që puna e tyre të monitorohet nga një komision ‘ad-hoc’ pesë anëtarësh.

Një nga pikat për të cilët kishte debate të shumta ishte edhe puna e Prokurorisë Speciale e cila heton atë që njihet si aferë e përgjimeve që edhe kishte nxitur krizën politike.

Në rast të shfuqizimit të ligjit për themelimin e saj nga Gjykata Kushtetuese, ku edhe ka një nismë, partitë kanë saktësuar modalitete tjera që do të garantonin vazhdimin e punës së këtij institucioni që ka mbështetjen e fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare.

Në fakt, përfaqësuesit ndërkombëtar kanë ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes. Ambasadori amerikan Jess Baily, pak ditë më parë i bëri thirrje partive të qëndrojnë fuqishëm pas marrëveshjes politike si zgjidhje e vetme të çuar Maqedoninë para në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe ruajtjen e kursit euroatlantik.

Që nga nisja e krizës në Maqedoni, në shkurt të vitit të kaluar partitë dy herë kanë caktuar datën e zgjedhjeve, më 24 prill dhe 5 qershor, por dy datat kishin dështuar për shkak të moszbatimit të pikave të marrëveshjes së nënshkruar.

Deklaratat e liderëve pas takimit

Pas arritjes së marrëveshjes për zgjedhje më 11 dhjetor, liderët e katër partive kanë dhënë dekaratat e para. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se sot regjimi i kryetarit të VMRO-DPMNE shkon në histori dhe se Maqedonia po shkon drejt një ardhmeje të re. “Kemi bërë betejë që qytetarët e Maqedonisë më 11 dhjetor të mund të votojnë lirshëm. Koha e dhunës zgjedhore dhe falsifikimit të vullnetit të lirë të qytetarëve përfundoi. Me këtë përfundoi edhe koha e regjimit të Nikolla Gruevskit”, theksoi Zaev.

Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski tha se në zgjedhje qytetarët do të vendosin dhe se LSDM më nuk mundi që ti ikë mbajtjes së zgjedhjeve, pasi që të gjitha kushtet e saj u pranuan. “Kemi bërë shumë hapa me qëllim që ti sjellim në situatë që të mos mund më shumë ti shtyjnë zgjedhjet, se nuk kanë ku të ikin më, të ballafaqohen me popullin dhe ti mundësohet popullit që të dal në zgjedhje dhe të thotë fjalën e tij”, theksoi Gruevski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se janë plotësuar të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Më në fund të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje, me çka u pajtuan se janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike me ç’rast zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 dhjetor të vitit 2016.”

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi se PDSH tha se zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se shpresa dhe garanca kryesore e PDSH mbetet tek faktori ndërkombëtar. “Ne do të vazhdojmë të kemi sjellje konstruktive, dhe se shpresa kryesore dhe garancia për PDSH mbetet faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe institucionet që do të monitorojnë zgjedhjet në Maqedoni”, theksoi Thaçi. Sipas tij, përgjegjësinë kryesore do ta mbajnë partitë që formojnë Qeverinë, prej pasnesër e më tutje.

Ambasadori amerikan Xhes Bejli theksoi se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe do të bëjnë gjithçka që të jetë e mundur të sigurojnë që zgjedhjet të jenë të besueshme dhe që qytetarët të votojnë lirshëm. Përfaqësuesi i BE-së theksoi se vendimi i liderëve tregon vullnetin politik për çuarjen e vendit përpara dhe tani obligim i të gjitha partive është që qytetarët të sigurohen se do të kenë zgjedhje të lirë në zgjedhje të besueshme. Sipas marrëveshjes, të premten do të votohet Qeveria e re kalimtare pjesë e së cilës bashkë me VMRO-DPMNE dhe BDI do të jetë edhe LSDM.