Transmetuar më 27-08-2016, 13:38

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredi, pa nga afër ndryshimin e plazhit te Spillesë.

Policia Bashkiake e Rrogozhinës, nëpërmjet djemve dhe vajzave, më biçikleta patrullon të gjithë shëtitoren e ndërtuar rishtazi nga e para. Detyra e tyre është siguria e pushuesve, si dhe mbledhja e informacionit për çdo shqetësim apo sugjerim që ata kanë.

Gjatë një bashkëbisedimi me ministren Ekonomi, ata thanë se që nga nisja e sezonit e deri më sot, në vijën bregdetare të Spillesë prej 4 km, nuk është shënuar asnjë incident.

Ndërkohë, në të gjithë vijën bregdetare të këtij plazhi, janë vendosur 8 kulla vrojtimi ku, me dy turne janë punësuar 16 roje plazhi (Baywatch).

Sot, tha Ekonomi, kemi ardhur të bëjmë një vizitë në plazhin e Spillesë, për të parë angazhimin që ka ndërmarrë bashkia e Rrogozhinës për ta përmirësuar shumë situatën e pushuesve.

“Pse sot? Për të treguar se kur investimi është i rëndësishëm, kur është i qëndrueshëm, jo vetëm që i bën ballë të gjithë sezonit të plazhit, por mendon edhe për ta përmirësuar atë më tej se sa ky sezon, që po i afrohet fundit. Arsyeja tjetër se pse kemi ardhur këtu, është për të treguar se kur modelet edhe menaxhohen, edhe mbikëqyren me shumë kujdes, ato vazhdojnë te kenë të njëjtën cilësi për gjithë sezonin turistik të vendit,” u shpreh Ekonomi.

Ministrja Ekonomi tha se ky plazh, kjo punë e bërë duhet të shërbejë si model suksesi që duhet ndjekur nga të gjitha bashkitë.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredi, thotë se ky është produkti final i një bashkëpunimi mes bashkisë së Rrogozhinës dhe ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.