Transmetuar më 20-08-2016, 15:19

Telekom Albania, një vit pas nisjes së shërbimeve 4G, renditet i pari në Shqipëri në testin e performancës së kryer nga P3 për rrjetet celulare! Shërbimi i testimit P3 përbën një vlerësim të pavarur të cilësisë së rrjeteve celulare në vend dhe të shërbimeve të ofruara, që përmbyllet me një certifikatë për operatorin të quajtur “Më të mirë në testim”. Kompania P3 kryen rregullisht testime të rrjeteve në Europë, SHBA, Australi dhe vende të tjera. Menaxheri i Departamentit të Radios dhe Transmetimit në Telekom Albania, Ilir Duka në një intervistë me agjencinë e lajmeve NOA.al, të cilën e gjeni të plotë më poshtë, pohon se Telekom ka mundësi të ofrojë shërbimet më të mira për përdoruesit e saj në Shqipëri.

Pak ditë më parë Telekom Albania është certifikuar si operatori me rrjetin celular më të mirë në vend nga P3 Communications. Kjo ka ardhur si pasojë e një testimi të rrjetit në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Çfarë mat konkretisht ky test dhe çfarë do të thotë “rrjeti celular më i mirë”?

Po, është e vërtetë. Kompania P3 Communications është pjesë e Grupit P3 (P3 group GmbH) me qendër në Gjermani dhe ka degët e saj në të gjithë botën. P3 është kompani lider në fushën e testimit dhe certifikimit të rrjeteve celulare, me një eksperiencë shumëvjeçare dhe reputacionin si më e besueshmja dhe më e njohura në këtë fushë. Operatorët e rrjeteve celulare, pavarësisht se mund të jenë konkurrente, përdorin këtë kompani për të bërë krahasimin mes tyre. Ashtu si edhe ne vende të tjera, prej disa vitesh kjo kompani kryen matjet krahasuese edhe për operatorët celularë në Shqipëri. Matjet kryhen në mënyrë të pavarur, në kuptimin e përzgjedhjes së metodologjisë dhe zonave të matjes.

Për vitin 2016 matjet janë kryer gjatë periudhës Maj – Qershor, për 17 ditë në 24 qytete të Shqipërisë, ku bëjnë pjesë patjetër qytetet kryesore me popullsi mbi 50 mijë banorë, por edhe ato me popullsi më të ulët. Gjithashtu, janë bërë matje e testime edhe në rrugët lidhëse të këtyre qyteteve, duke përfshirë jo vetëm autostradat në pjesën perëndimore të vendit, por edhe rrugët e tjera kryesore si në Juglindje ose Verilindje të Shqipërisë.

Është matur gjithashtu cilësia e shërbimeve të ofruara nga rrjetet celulare, kryesisht nëpërmjet teknologjive të fundit 3G dhe 4G si për thirrje telefonike, transmetimin e të dhënave dhe aplikacioneve që bazohen mbi këto teknologji.

Për sa i përket thirrjeve telefonike, matet mundësia e aksesit në rrjet, rënia e thirrjeve, qëndrueshmëria e thirrjeve, koha e pritjes prej momentit që shtyp butonin e telefonit deri sa thirrja me abonentin bëhet e qëndrueshme, si edhe cilësia e zërit gjatë bisedës. Kurse transmetimi i të dhënave matet nëpërmjet shërbimeve të tilla si: lundrimi në internet; cilësia e transferimit të të dhënave mes përdoruesve; shpejtësia dhe koha e transmetimit të të dhënave; eksperienca e përdorimit të aplikacioneve video si Youtube, etj. Pra, mund të themi që matet eksperienca e përdoruesit dhe kjo është e veçanta e këtyre matjeve, sepse nuk janë matje nga pikëpamja e rrjetit, por nga pikëpamja e përdoruesit. Matjet kryhen nga aparate smartphone që janë gjithë kohës në lëvizje, duke simuluar kështu dhe situatën më të vështirë për gjenerimin dhe stabilitetin e bisedave telefonike ose të shërbimit të të dhënave. Pra, është një përdorues shumë i fuqishëm, gjithmonë në lëvizje me smartphone dhe që përdor të gjitha shërbimet e një rrjeti celular në mënyrë të vazhdueshme, duke “stresuar” rrjetin për të parë performancën e tij dhe për ta vlerësuar atë. 

Pas kësaj, të gjitha statistikat e mbledhura gjatë kësaj periudhe matjesh përpunohen, analizohen dhe sipas një skeme të caktuar paraprakisht vlerësohen me pikë gjithë treguesit e cilësisë sipas shërbimeve të ndryshme dhe në varësi të zonave ku janë bërë matjet. Në bazë të pikëve të mbledhura arrihet një vlerësim total i përgjithshëm dhe ashtu si në një garë me shume disiplina, në përfundim ka një fitues i cili ka grumbulluar më shumë pikë se të tjerët. Në bazë të vlerësimit të bërë nga matjet e kompanisë P3, Telekom Albania grumbulloi më shumë pikë nga të gjithë operatorët e tjerë duke fituar të drejtën për tu certifikuar si “rrjeti celular më i mirë i testuar në vend”. Pra, që ka mundësi të ofrojë shërbimet më të mira për përdoruesit e saj në Shqipëri.

Marrja e kësaj certifikate kuptohet që është një arritje e kompanisë dhe stafit të përkushtuar të saj që kanë materializuar investimet teknologjike të kryera së fundmi për të arritur këtë lloj cilësie shërbimi që i ofrohet klientëve tanë.

Teknologjia në telekomunikacion ecën me hapa shumë të shpejtë. 4G tashmë është një realitet, por dhe më i kërkuari nga përdoruesit e smartphone. Çfarë ndryshimesh solli 4G për teknologjinë, tregun dhe abonentët?

Është e vërtetë se teknologjia e futur së fundmi në Shqipëri në mes të vitit që shkoi, 4G, i ka dhënë një rritje shumë të madhe shpejtësisë së transmetimit të të dhënave të rrjetit celular. Këtë e kanë ndjerë edhe përdoruesit e kësaj teknologjie duke parë vetë diferencën me teknologjinë e mëparshme 3G, aq më tepër me atë 2G. Dhe ndryshimi vihet re në përdorimin cilësor të aplikacioneve të ndryshme, aq të shumta sot.

Përdoruesit e tanishëm mund bëjnë dhe vetë testime të shpejtësisë në 4G, me aplikacionin “Ookla SpeedTest”. Kuptohet që shpejtësitë më të larta varen edhe nga tipi i smartphone. Sa më i avancuar të jetë, aq më shumë është në gjendje të arrijë shpejtësi më të larta. Varet edhe nga kapaciteti që ofron operatori në një zonë të caktuar, nga distanca me stacionet e rrjetit, dhe nga faktorë të tjerë.

Në matjet e P3 është regjistruar që Telekom Albania ka arritur shpejtësinë maksimale prej 178 Mbps. Por, për vlerësim, siç evidentohet edhe në certifikatën e dhënë, P3 kryen testime të shpejtësisë ashtu siç testohen edhe makinat e garave, se cili nga operatorët arrin shpejtësinë më të lartë në një kohë prej 10 sekondash, ku ka kryesuar Telekom Albania. Për kuriozitet, unë personalisht si përdorues i Telekom Albania me smartphone, kam arritur shpejtësinë maksimale prej mbi 200 Mbps, testuar me aplikacionin “Ookla SpeedTest” që besoj është shpejtësia maksimale e kapur në Shqipëri në këto kushte.

E pra, këto janë shpejtësi e mundësi që i ofron vetëm 4G dhe Telekom Albania që gjatë një viti ka kryer investime të fuqishme në mbulimin e territorit dhe popullsisë nëpërmjet kësaj teknologjie. Ne kemi mbuluar mbi 70 % të popullsisë, të cilët kanë tashme akses në teknologjinë 4G, mjafton të kenë aparatin e duhur smartphone. Është e pranishme në pjesën më të madhe të qyteteve dhe zonave turistike. Por investimet nuk kanë mbaruar. Me këtë teknologji jemi në zgjerim të vazhdueshëm, për mbulimin e gjithë territorit.

Telekom Albania si pjesë e DT Group ka investuar jo vetëm në infrastrukturën e rrjetit 4G, por edhe në mundësimin e shërbimeve më të mira dhe unike në treg. DT në Shqipëri ka mundësuar shumë produkte e shërbime të nivelit evropian, ashtu si dhe në vendet e tjera ku DT Group operon.

Gjatë sezonit veror është vërejtur një numër i shtuar i pozicioneve WiFi hotspot të Telekom Albania në plazhet dhe qendrat e rëndësishme të qyteteve në të gjithë vendin. Sa është shpejtësia maksimale e internetit në këto pozicione?

Po, është e vërtetë që Telekom Albania ofron shërbimin e transmetimit të të dhënave dhe aksesin në internet nëpërmjet teknologjisë WiFi për përdoruesit e saj, si risia e kësaj vere. Kryesisht në qytetet kryesore, zonat e caktuara turistike dhe zonat që frekuentohen më shumë nga përdoruesit tanë. Përveç rrjetit 4G, paralelisht me të është krijuar edhe ky rrjet WiFi, i cili gjithashtu ofron shpejtësi të larta komunikimi e lundrimi në internet që shpërndahet midis përdoruesve të Telekom Albania në këto zona të caktuara. Për më tepër rrjeti Wi-Fi ofrohet falas nga Telekom Albania. Kjo është ndër pikat e forta të një kompanie të madhe telekomunikacioni, që përpiqet duke investuar për përdoruesit e saj në çdolloj mënyre nëpërmjet teknologjive të ndryshme 3G, 4G, Wi-Fi, etj., në funksion të plotësimit me cilësi sa më të lartë të nevojave të klientëve të saj.

Telekom Albania, si pjesë e familjes së madhe të Deutsche Telekom është e angazhuar të sjellë në tregun shqiptar të tjera risi, si dhe produktet më cilësore dhe të avancuara të fushës së telekomunikacionit. /noa.al/

Telekom Albania certifikohet si rrjeti celular më i mirë në vend