Transmetuar më 11-08-2016, 08:30

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, flet për mundësinë e rishikimit të qeverisjes, gjë që është komentuar shumë shpesh. Por lidhur me mundësinë për ndryshime, ai sqaron se, “Në kuptimin e përmirësimit ka nevojë çdo ditë”.

Më tej ai flet edhe për zgjedhjet e 2017-ës, nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë në koalicion sërish me Partinë Socialiste, apo e vetme.

“Nuk kam arsye fare që të nxitoj për mendime të tilla aq më tepër për vendime sepse ato nuk do të jenë asnjëherë vendime personale. Ato do të jenë vendime të forumeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për më tepër që ne kemi edhe zgjedhjet aktualisht në vjeshtë ku rinovohet mandati i gjithë të zgjedhurve të LSI-së, përfshirë edhe Kryetarin e forumet kombëtare. Dhe nuk ka asnjë lloj nxitimi dhe preokupimi për këtë çështje”, u shpreh Meta.

Ai nënvizon se preokupimi i LSI, është përmbushja sa më me përgjegjshmëri e marrëveshjes qeverisëse aktualisht dhe sidomos sa i takon ecurisë sa më pozitive të reformës në drejtësi.

Gjatë një interviste të mbrëmjes së djeshme në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, ai deklaroi se kryedemokrati Lulzim Basha, nuk ka shumë mundësira si Kryeministër i ardhshëm.

Ndërsa i pyetur nëse dikush e ka shantazhuar me burg lidhur me reformën në drejtësi, ai deklaron se “Nuk besoj, se vërtet kanë lindur ata njerëz që mund të kenë një guxim të tillë. Po kështu nuk është ndonjë sekret që indirekt vazhdimisht është përmendur, apo është pëshpëritur se kjo reformë bëhet kundër këtij, kundër atij, dhe nuk është ndonjë sekret që është thënë që është bërë edhe kundër Metës. Ndërkohë që Metën këtu e kanë dhe do ta kenë gjithmonë qytetarët shqiptar pasi Meta nuk e ka në plan të iki të jetoj në ndonjë ishull apo as në ndonjë vend tjetër”.

I pyetur nëse është penduar për koalicionin qeverisës, ai deklaroi se nuk është nga ata që pendohet për ato që bën, por thotë se është nga ata që reflektojnë dhe gjithnjë me kërkesa për t’u vetëpërmirësuar.

Z.Meta, po e filloj me një deklaratë në fakt pak të çuditshme për një politikan. Jeni shprehur para pak ditës në një intervistë në mos gabohem për Revistën “Mapo” se: “Kur bëri burg Fatos Nano nga Tirana, unë nga Skrapari se kam problem”?

Jo nuk ishte kaq e thjeshtë. Më duket se ka qenë në një kontekst të caktuar që ka vlerësuar atë situatë kur Fatos Nano në një burg të padrejtë politik, arriti të sensibilizonte një shoqëri të tërë, e në kushtet e një izolimi të thellë, të një partie mjaft të izoluar edhe ndërkombëtarisht si ish-pasuese të partisë së Enver Hoxhës, duke arritur atë rezultat spektakolar në referendumin për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994.

Këto kohë, pak para miratimi të Reformës në Drejtësi kemi qenë aktiv në media dhe jeni i pari politikan që po flisni për burgje dhe po deklaroni se “nuk e kam frikë”. Z. Meta, pyetja është pak më konkrete. Njerëzit në Shqipëri nuk janë shumë të interesuar se si e përballojnë burgun politikanët, por pyetja është ndryshe. Jeni për burg apo ju duan në burg?

Unë mendoj se i gjithë problemi, apo mangësia e kësaj reforme është se është dominuar nga fjala burg. Që do të thotë se asgjë premtuese për një drejtësi ku të gjithë qytetarët janë të barabartë të gëzojnë një akses më të mirë, të ndiejnë më shumë siguri në të drejtat e tyre, që nga e drejta e pronës, të drejtat e jetës, dhe gjithë të drejtat e tjera, ka dalë në plan të dytë. Por për fatmirë, konsensusi i arritur në mesnatën e 21-22 korrikut, them mesnatën për arsye sepse nuk dua ta pranoj faktin se u shkel afati me një orë e gjysmë dhe zyrtarisht është data 22 korrik, pasi praktikisht konsensusi u arrit në ditën e shënjuar me kohë për të miratuar reformën, praktikisht në datën 21 korrik. Pra ky konsensus mendoj që ka krijuar një perspektivë shumë të mirë që të kemi një reformë për qytetarët dhe natyrisht për politikanët qytetar. Që do të thotë se në rast se politikanët kanë shkelur apo shkelin ligjin duhet të përgjigjen si gjithë qytetarët e tjerë.

Z.Meta a është shantazhuar kreu i LSI me burg, qoftë nga diplomat të huaj, qoftë nga Kryeministri i vendit. Mediat raportojnë çdo ditë për një gjë të tillë?

Nuk besoj, edhe një herë tjetër, se vërtet kanë lindur ata njerëz që mund të kenë një guxim të tillë. Po kështu nuk është ndonjë sekret që indirekt vazhdimisht është përmendur, apo është pëshpëritur se kjo reformë bëhet kundër këtij, kundër atij, dhe nuk është ndonjë sekret që është thënë që është bërë edhe kundër Metës. Ndërkohë që Metën këtu e kanë dhe do ta kenë gjithmonë qytetarët shqiptar pasi Meta nuk e ka në plan të iki të jetoj në ndonjë ishull apo as në ndonjë vend tjetër. Ka vendosur të jetë jetojë këtu në Shqipëri dhe të ndajë çdo gëzim dhe çdo vështirësi me qytetarët e këtij vendi.

Mediat pranë Kryeministrit Rama kanë raportuar se në një pritje në Pallatin e Brigadave nuk keni pranuar që të spostoheni për të biseduar anash me ambasadorin Lu. A e keni refuzuar ambasadorin amerikan për një bisedë private?

Nuk e di a janë mediat pranë Kryeministrit Rama apo janë mediat përballë Kryeministrit Rama sepse kjo histori e mediave është pak e ngatërruar këtu…

Në qoftë se Gazeta “Tema” e konsideroni mediat përballë Kryeministrit Rama. Ky është lajm i publikuar nga Gazeta “Tema”…

Ne kemi marrëdhënie mjaft korrekte me ambasadorin Lu dhe marrëdhëniet e mija me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë të shkëlqyera sepse janë marrëdhënie që u dedikohen interesave strategjike të dy vendeve

Nuk ka lindur akoma ai burrë që ju shantazhon. Gjithsesi në historinë tuaj politike, ish-presidenti Berisha, ose Partia e ish-presidentit Berisha, ka tentuar t’ju heq mandatin dhe të arrestoheni në fillimet tuaja politike…

Më është hequr imuniteti. Kam qenë i pari deputet opozitar, dhe një nga arsyet që kam edhe konsideratë për “doktorin” është se më ka trajnuar në një moshë fare të re për t’u përballur me këto presione. Dhe jo vetëm kaq. Mund t’ju them juve, për të herë të parë se kolegu im deputet, për shembull, Leontiev Çuçi në emër të udhëheqjes të asaj kohe më ka sugjeruar për të ikur në Greqi apo në Itali për tu marrë në mbrojtje nga PASOK-ku, Partia Socialiste Italiane, për të shmangur atë arrestimin apo pasojat që mund të vinin nga një çështje e tillë. Dhe unë nuk kam pranuar sepse më është dukur tërësisht absurde për t’ju shmangur një drejtësie qoftë edhe aq politike sa mund të ishte edhe drejtësia e doktorit. Kështu që këto janë gjëra të cilat mund të vlejnë me të cilin do tjetër, por jo me mua.

Drejtësia e “doktorit” të parë ishte politike, këtë e ka treguar edhe historia e pluralizmit shqiptar. A do të thotë kjo se fakti që po i referohemi burgut politik të Fatos Nanon, deri diku të pranuar edhe nga z. Berisha vetë si një burg politik, pavarësisht se sipas z. Berisha ishin bashkëpunëtorët e tij që i bënë dosjen, ka një tentative për burg politik ndaj Ilir Metës. Dhe pyetja është fare konkrete, a ka guxuar Edi Rama ndonjëherë t’jua thotë gjatë këtyre kohëve në sy se: “më kërkojnë kokën tënde dhe se unë po ju mbroj”?

Së pari një herë, çdo njeri në këtë botë duhet të përgjigjet për kokën e tij në raport me ligjin dhe në raport me çdo detyrim tjetër. Së dyti, nuk ka guxuar njeri të ma thotë këtë gjë dhe nuk besoj se do të ketë njeri në këtë botë të marri një guxim të tillë. Këtë e them për arsye sepse unë jam një njeri tepër i hapur, tepër transparent dhe njëkohësisht unë jam një njeri që e ka vrarë frikën që në dhjetor, dhe para dhjetorit të vitit 1990, përballë një regjimi i cili dihet se çfarë pasojash mund t’ju krijonte të gjithë atyre që mund t’i dilnin kundër dhe nuk mund ta pranojë kurrë që në vitin 2016 në Shqipëri të ketë përpjekje për të instaluar shantazhin si mënyrë dhe si formë qeverisje, aq më tepër si formë të një republike të re.

Por padyshim që nevoja për një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë ka qenë e domosdoshme, ka qenë e hershme. Dhe unë që në fillim kam bërë thirrje për konsensus vetëm për një arsye, sepse kam qenë i bindur që Kushtetuta e vitit 1998, dhe jam i bindur, dhe nuk besoj se do të dalë dikush që të thotë që “Jo kjo që kemi sot është më e mirë”, ka qenë Kushtetuta më e mirë edhe për sa i takon parimi të kontrollit dhe të balancës, të ndarjes së pushteteve dhe sistemit të drejtësisë, por dihet që konflikti politik dhe ndërhyrjet e herëpashershme politike, jo vetëm nga një krahë, kanë bërë atë që të paralizohet si sistem që të prodhojë dhe të garantojë drejtësi. Dhe akoma më keq si një sistem që garanton kryesisht padrejtësi dhe mosbesim dhe pasiguri të qytetarëve. Në këto kushte, ajo që garanton që të kemi një sistem të pavarur të drejtësisë, mendoj që është konsensusi dhe një përgjegjshmëri për të lënë drejtësinë të jetë e pavarur. Natyrisht që këtu një garanci është edhe prania ndërkombëtare, pra Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Është e rëndësishme që edhe ata të jenë sa më profesional, sa më me integritet dhe sa më të paanshëm, pasi këto dy element, pra konsensusi dhe prania ndërkombëtare, do të mund të garantojnë që këto sforcime që u bënë duke krijuar këtë Kushtetutë të re të prodhojnë vetëm efekte pozitive dhe afatgjata.

Z.Meta është folur shumë për një vizitë tuajën në vilën qeveritare të Kryeministrit në Durrës. Fillimisht u fol për një darkë me të, më pas për një takim i shkurtër. Madje mediat raportuan se pavarësisht se Edi Rama në vitin 2013 e hëngri ngjalën tuaj tek gjiri i Lalzit, ju nuk e hëngrët ngjalën e z. Rama tek vila qeveritare në Durrës. Cila ka qenë përmbajtja e këtij takimi?

Ngjala asnjëherë nuk ka qenë pjesë e menysë së pari.

As në Lalëz?

Unë asnjëherë, sepse ngjalat janë kryesisht te Diella në Lezhë, dhe po të ishte te Diella do të kishte mendoj dhe shumë dëshmitarë nga Lezha. Për sa i takon takimit, ai është një takim normal. Ne takohemi, komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme, nuk përbën ndonjë lajm.

Por gjithsesi, prapë sërish media pranë Kryeministrit përhapën lajmin se pas takimit keni darkuar me z. Rama edhe në prani të disa personazheve të tjera?

Nuk kemi patur mundësinë për të patur një darkë së bashku, por kemi ndenjur për një kohë të konsiderueshme dhe kryesisht kemi konsumuar fruta të freskëta.

Fatmir Xhafaj, deputet i Partisë Socialiste arrin në konkluzionin se tashmë Ilir Meta ka qetësinë por jo dashurinë për Partinë Socialiste. Cilat janë raportet e Ilir Metës, e LSI-së me Partinë Socialiste pas tre viteve bashkëqeverisje. Pyetja është mjaft konkrete z. Meta, a jeni penduar për koalicionin e 2013?

Unë nuk jam nga ato që pendohen për atë që bëjmë. Unë jam nga ata që reflektojnë dhe gjithnjë me kërkesa për t’u vetëpërmirësuar. Po flas si politikan, por kjo është një kërkesë edhe ndaj forcës politike ku unë aderojë dhe raportet politike nuk bëhet fjala për qetësi dhe për dashur. Bëhet fjala për partneritet, për marrëveshje. Slogani im “Me qetësi dhe me dashuri” është në momentet kryesisht konfliktuale kur mendojë që nxitimi nuk është këshilltari më i mirë për zgjidhjet më të mira.

Z.Meta ju jeni parti qeverisës, pavarësisht nga numri i Ministrave. Qeveria juaj dhe e PS, a mund të thoni çfarë ka bërë pozitive gjatë këtyre tre viteve, negative do të radhis unë pafund. Ose po e fillojmë me negativet. Nuk jeni penduar kur menduat se e morët Shqipërinë vetëm me Lazaratin e hashashit dhe sot i vetmi vend ku s’ka hashash është Lazarati? Nuk jeni penduar z. Meta kur nuk perceptohej deri në vitin 2013 vjedhja e bankave, por sot është gjëja më normale edhe në metropol? Nuk jeni penduar z. Meta kur deri në vitin 2013 kishte policë apo punonjës të KESH-it që merrni leje për të mbledhur fatura, ndërsa gjatë këtyre viteve janë as më shumë e as më pak rreth 38 mijë të ndaluar nga policia e shtetit? Nuk jeni penduar z. Meta që në tre vjet qeverisje nuk mbahet apo nuk thuhet për një kilometër rrugë të re? Nuk jeni penduar z. Meta që në tre vjet numri i papunësi jo që nuk është 300 mijë, siç është premtuar, por papunësia është rritur dhe numri i azilantëve shqiptarë në Gjermani është në vend të dytë pas Sirisë? Këto nuk janë të mjaftueshme jo vetëm për të reflektuar, por për të thënë se jam penduar për këtë qeverisje?

Jo unë kam ardhur këtu me kënaqësi pasi kishim një kohë të gjatë pa u takuar dhe pa qenë ballë për ballë në një studio, por natyrisht kam ardhur i ndërgjegjshëm në një gazetar i vendosur opozitar, por sigurisht që kam ardhur edhe në kuadër të kësaj klimës për konsensus që e kam promovuar kaq shumë dhe që për mua vijon sepse çështjet që kemi…

Në gjykimin tim nga 1 prilli 2013 deri më sot keni zgjedhur koalicionin dhe studiot e gabuara?

Çështja e 1 prillit është si çështja e ngjalave. Marrëveshja ishte bërë pak më përpara, por në 1 prill u bë si e njohur.

Nga konstatimet që unë bëra çfarë hidhni poshtë?

Unë mund t’ ju them disa çështje. E para që unë mund t’ju them është që Shqipëria mori statusin kandidat në këtë koalicion apo se mori? Të flasim për çështje më të mëdha

Duke i referuar Ilir Metës Shqipëria e merrte para zgjedhjeve të 2013, por absurdi i kryetarit të qarkut të Fierit jeni vetë një prej kontestuesve të atij vendimi?

Mund ta përfundoj? Mori statusin kandidat pas zgjedhjeve të 2013 apo nuk e mori? E mori.

Së dyti, reforma administrative-territoriale është një reformë historike. Pra ndodhi.

Reforma zgjedhore?

Jo, zgjedhorja është tani më mbrapa.

Reforma territoriale është mirëfilltazi reforma zgjedhore z. Meta? Ambasadori Amerikan ju ka thënë për reformën–territoriale që në qoftë se nuk e plotësoni me ligjet përkatëse ishte një “tortë” territoriale…

Do plotësohet ajo do plotësohet. Reforma në drejtësi a ishte iniciuar nga kjo mazhorancë?

Z.Meta, bashkiakët kanë hyrë në vitin e dytë dhe akoma nuk ka një ligj për pushtetin lokal. Ajo ishte një tortë elektorale…

Së dyti, reformat në fushën e energjisë pavarësisht se mund të ketë ndonjë teprim. E vërteta është që ka një përmirësim më të ndjeshëm të situatës në këtë drejtim dhe OSSHE është një institucion që mban vetëm dhe mban vetë sistemin. Rritja ekonomike ishte tek 1%, tani është rreth 3%. Tani duhet të kemi parasysh edhe rrethanat e tjera. Natyrisht që ka mjaft probleme dhe mjaft sfida që duhen përballuar më mirë. Dhe unë prandaj e theksoj gjithnjë që ka vend për reflektim, për vetë përmirësim edhe për bashkëpunim edhe me vetë opozitën.

Z.Meta shtatë kontestimet e mia dhe me asnjë nuk u morët. Deri tani keni radhitur si sukses vetëm reformën territoriale, e cila është reforma elektorale…

Edhe për statusin e vendit kandidat, për reformën në drejtësi. Kjo mazhorancë e inicioi.

Do të flasim edhe për statusin kandidat. Kjo mazhorancë e inicioi, por të paktën ju ja keni njohur meritat edhe vetë opozitës…

Po patjetër. E inicioi.

Statusi kandidat ju jeni vetë dëshmitar që për tekat e ish-shefit të opozitës z. Ram u mbajt peng.

Ky është vlerësimi juaj.

Ky është vlerësimi juaj para 2013 z. Meta për kryetarin e qarkut të Fierit e mbajtët peng z. Meta? Mazhoranca e asaj kohe kur ishit ju e ofroi kompromisin për tre ligjet e famshme…

Unë jam në studion tuaj dhe nuk kam ndërmend të bëj zotin e shtëpisë, por mendoj që të përsërisim i nganjëherë secili të njëjtin argument.

Jo për të zotin e shtëpisë, por për të zotin e partisë qeverisëse, por të jesh në qeverisje nuk është vetëm luftë, por është edhe kosto z. Meta?

Patjetër ne marrim çdo përgjegjësi.

Z.Meta a ka realisht vendi për rishikimin e qeverisjes?

Në kuptimin e përmirësimit ka nevojë çdo ditë.

Përmirësimi është fjalë shumë e përgjithshme z. Meta. T’i marrim konkretisht. Ministria e Transporteve, në Shqipëri me arsyen se kjo ministri është e aleatit dhe jo e Partisë Socialiste, por në këtë ministri nuk investohet më. Përjashto ndonjë buzëkuq apo ndonjë vijëzimit të rrugëve, në Shqipëri ka tre vjet që nuk investohet në rrugë. Ka nevojë për frymë të re apo jo?

Patjetër që ka nevojë në çdo institucion, në çdo ministri ne nuk mendojmë që ministrat e LSI-së janë perfekt, por u takon atyre të mbrojnë punën e tyre.

Ministria e Brendshme me këtë nivel sigurie?

Është e njëjta gjë për ministrat e LSI-së apo të PS-së, për çdo lloj ministri apo shoqëri civile.

Ministria e Financave? Po ju marr ministritë që të paktën për opinionin dhe analistët janë më shumë sesa problematike.

Tani rritja ekonomike është shumë më e lartë sesa ishte para tre vjetësh.

Me shifrat e kujt z. Meta?

Ne i referohemi të gjithave edhe Standard and Poor’s , të gjithë institucioneve.

Me institucionet e sigurisë shqiptare nuk rezulton ashtu. Ky është një gjykim i juaji? Z. Meta keni folur shpesh të paktën për momentin nuk është i interesuar për të qenë President i vendit, por të paktët duhet të pranonte me një kusht që të ishte President i aprovuar edhe nga mazhoranca edhe nga opozita? Nëse ka një kryetar të një partie ndërmjetëse, një partie të tretë, përcaktuese ka atë që mund të them unë muaj mjalti , kur ka edhe miratim në heshtje si jo të opozitës sikurse ajo e mazhorancës ku ajo është pjesë. Është ky muaj gusht. A keni filluar të mendoni në këtë kohë se është momenti i përshtatshëm për t’ju marrë postin e Presidentin, qoftë të PD-së qoftë të PS-së?

Së pari posti i Presidentin nuk është një plaçkë apo një madh që merret edhe ndërrohet.

Me ndryshimet Kushtetuese plaçkë është…

Pra, është një institucion që rinovohet çdo pesë vjet në bazë të Kushtetutës dhe procedurave demokratike. Aktualisht preokupimi im është ecuria e diskutimeve dhe e negociatave për 7 ligjet e domosdoshme për të zbatuar reformën në drejtësi dhe prioriteti numër një është gjetja e kohës së përshtatshme për një seancë plenare për të miratuar ligjet për Vettingun që është tepër i rëndësishëm. Dy ligjet e tjera për organet e qeverisjes gjyqësore dhe të prokurorisë speciale dhe më pas gjetja sipas një kalendari që ne kemi bërë dhe prioriteti kryesor është që të gjithë së bashku të marrim një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe pse jo edhe nga Këshilli i vendeve anëtare në muajin dhjetor.

Sa i takon këtyre posteve pozita, këto nuk përbëjnë ndonjë shqetësim apo ndonjë preokupim apo ndonjë prioritet. Unë kam patur postin e Kryeministrit në një moshë krejt të re dhe kam dhënë dorëheqje për ti hapur rrugë një zgjidhje politike. Kam qenë tre herë zëvendëskryeministër. Disa herë kam dhënë dorëheqje. Natyrisht jam Kryetar i Parlamentit. Vetëm dy poste nuk kam provuar deri tani atë të Presidentit dhe të udhëheqësit të opozitës, por e ardhmja është përpara. Dhe unë nuk shikoj deri në maj apo qershor të vitit të ardhshëm.

Kam përshtypjen se më shumë ju josh posti i udhëheqësit të opozitës sesa ajo e Presidentit? U duk sikur në vitin 2015 Ilir Meta i vuri një qëllim vetes të dilte në zgjedhjet lokale, të dilte forcë e dytë për sa i përket numrit të bashkive?

Jo nuk i kam vënë asnjë qëllim të tillë.

Por që z. Rama për të qenë korrekt ua bëri të pamundur për shkak të konjukturave ju pavarësisht që nuk do e pranonit në shumicën e bashkive ku pothuajse ishte e sigurt LSI humbi prej asaj që vendosi “de facto” kryesia e PS-së, në Vorë, Lezhë, Kukësin, disa të cilat mund të bënin përmirësim?

Ka qenë një situatë tashmë e kaluar. Për ne ka rëndësi që kryetarët e bashkive në këto zona të qeverisin më mirë dhe qeveria të bashkëpunojë me ata për të mirën e komuniteteve.

2017 a është qëllimi i kthimit të Ilir Metës në shef të opozitës?

Unë nuk kam asnjë objektiv të paragjykuar, sepse nuk kam baste personale në politikë.

Është qëllim politik?

Unë do të bëj çdo gjë që LSI të jetë një faktor edhe më i rëndësishëm. Për stabilitetin e vendit, për proceset e integrimit evropian të vendit. Një faktor nxitësh edhe motivues për reforma të vërteta që i shërbejnë vendit në mënyrë afatgjatë. LSI është krijuar si parti opozitare. Është gabim i madh të përjetohet kalimi në opozitë apo qenia në opozitë, si një fatkeqësi, përkundrazi vendi ka nevojë për një opozitë, aktualisht, më të fuqishme, më të përgjegjshme, më racionale, më bashkëpunuese. Këtë nuk e kam si një akuze apo kritikë për partinë demokratike , por sigurisht vendi ka nevojë për një opozitë tjetër nga ato që ka parë deri tani. Se kush do ta bëjë këtë opozitë mbetet të ardhmes, por ashtu sikurse vendi ka më shumë nevojë për një qeverisje më efektive, më të përgjegjshme. Ka nevojë edhe për një opozitë më të fuqishme, më efektive dhe më të përgjegjshme. Ka gjithnjë nevojë për një konsensus për çështjet më të mëdha të shtetit dhe së ardhmes sonë të përbashkët.

Z.Meta a keni hequr dorë nga ëndrra juaj e hershme për të qenë lideri i së majtës në Shqipëri? Se fjala opozitë ndoshta është pak vetësakrificë?

Nuk kam pasur ndonjëherë ëndërr për të qenë lider apo ku di unë… E kam pasur mundësinë edhe për të qenë kryetar i Partisë Socialiste në rast se do të kisha pranuar marrëveshjen me kryetarin në atë kohë, z. Nano, që ai të bëhej president dhe unë të bëhesha kryetar apo dhe kryeministër përpara se të bëhej president në rastin kur u zgjodh z. Moisiu. Por nuk kam pranuar zgjidhje të cilat nuk duhet të funksiononin për vendin duke qenë se ka pasur një kufizim nga Parlamenti Evropian në atë mandat që mazhoranca jonë, edhe pse kishte më shumë se 84 vota, pra më shumë se 60 për qind të vendeve në parlament, për shkak të “Dushkut” që ishte një manovër jo e ndershme, duhet ta zgjidhte presidentin me konsensus me opozitën.

Kjo është e vërtetë e keni pasur atë shans, por në optikën e shumë analistëve, Ilir Meta është politikani i shanseve të humbura, por që kap gjithmonë shansin e fundit…

Unë jam i kënaqur me ato kontribute që kam dhënë në 20 e ca vjet në politikën shqiptare.

Nuk po flasim për kontribute, po flasim për shanset individuale për të kapur drejtimin e së majtës në Shqipëri?

Qëllimi im nuk është që unë të kap një drejtim apo një post. Qëllimi im është t’i shërbej vendit të ecë në atë drejtim që përmbush edhe atë aspiratë për të cilën unë u angazhova në Lëvizjen e Dhjetorit, që unë u angazhova në Rininë Eurosocialiste, u angazhova në Partinë Socialiste, edhe si kryeministër, edhe për krijimin e LSI e kështu me radhë. Pra të ecim në atë rrugë që…

Z.Meta qëllimi dhe ambicia e çdo politikani të fortë është për të qenë i pari në vendimmarrje aty ku është…

Unë kam qenë i pari dhe nuk është se nuk kam bërë vendimmarrje edhe spektakolare, edhe të forta, edhe të guximshme, edhe shumë të mira, edhe të gabuara kuptohet si çdo politikan. Prandaj mendoj që një dallim i imi ndoshta nga shumë të tjerë është se nuk i shoh këto sfida si baste personale. Për mua ka rëndësi vendi të jetë më mirë. Pse e them këtë? Sepse në vitin 2001 kur Romano Prodi erdhi këtu si President i Komisionit Europian, theksoi me forcë tre herë: stabilitet, stabilitet, stabilitet. Atëherë Shqipëria ishte para Serbisë, para Malit të Zi në procesin e stabilizim-asoociimit dhe të integrimit evropian. Tani ato që të dyja janë mjaft përpara Shqipërisë, kanë hapur me kohë negociatat e kështu me radhë. Në rast se ne nuk do të vazhdojmë me këtë klimë bashkëpunimi, konsensusi për reformën në drejtësi dhe për çështje të tjera, në rast se ne nuk do të kemi zgjedhje të lira, demokratike, të pacenueshme dhe të pakontestueshme, distanca do të thellohet. Ky është shqetësimi. Dhe shqetësimi nuk është se përse këto vende po ecin më përpara, por se vendi ynë duhet të ecë me një ritëm shumë më të shpejtë dhe unë mendoj se vendi e meriton. Se ka një rini që ka një ambicie shumë më të madhe.

Ju vërtet besoni se kjo qeveri garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Unë nuk pres nga ju si gazetar me frymë të paepur opozitare që të keni besim të plotë te kjo qeveri. Për më tepër, që jeni kritik edhe jam i bindur se edhe po të ishte një qeveri tjetër e Partisë Demokratike, prapë do të kishit skepticizmin tuaj sepse politika në Shqipëri vuan nga mosbesimi. Megjithatë unë mendoj se është tërësisht e mundur që të krijohet klima e duhur që të kemi një proces shembullor, sepse më vjen zor mua, por besoj të gjithë neve që diskutojmë pas 26 vitesh zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe të bëhemi një objekt i medias ndërkombëtare apo të institucioneve ndërkombëtare sepse këtu nuk do të flitej më as për integrim evropian dhe as për të pasur dinjitetin që duhet të ketë një vend tashmë që u bë kohë edhe si anëtar i NATO-s.

Z.Meta. Jeni nga profesioni edhe ekonomist dhe keni qenë edhe kryeministër. Kur flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk bëhet më fjalë për të marrë zgjedhje as me armë dhe as me tanke. Është klima dhe kushtet në të cilat zhvillohen zgjedhjet. Ju pavarësisht se iu referuat institucioneve për 3 për qind rritje të ekonomisë, por që të gjithë e dinë që papunësia është rritur dhe që në këtë vend nuk prodhohet gjë më, përveç hashashit. Me këtë Shqipëri të mbjellë me hashash, realisht mendoni se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Unë nuk dua të bëj më shumë polemikë se sa do të dëshiroja në këtë studio. Por unë besoj se është tërësisht e mundur për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe është e rëndësishme që Komisioni për Reformën Zgjedhore të fillojë menjëherë nga puna. Ne kemi ftuar OSBE-ODIHR-in të asistojë në këtë proces. Do të punojmë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë si një garanci për të evituar çdo fenomen që krijon shqetësime apo paragjykime për ndershmërinë e zgjedhjeve.

Në 11 shtator kemi zgjedhje në Dibër për shkak të shkarkimit të ish-kryebashkiakut të Dibrës. LSI do të jetë në koalicion me PS, do të keni kandidatin tuaj apo do t’i ktheni reston e zgjedhjeve lokale të 2015-s z. Rama?

Zgjedhjet e pjesshme lokale janë zgjedhje të pjesshme lokale dhe ato janë produkt i vendimmarrjes lokale. Themi në rastin konkret, degës së LSI-së. Dhe mendoj se këto lloj zgjedhjesh nuk duhet të trajtohen me këtë lloj vëmendje sikur këtu po bëhen zgjedhje mbarëkombëtare.

Pra nuk do të ketë një angazhim tuajin në këto zgjedhje?

Ta thashë edhe më përpara që angazhimi im nga tani deri në dhjetor është për ecurinë e reformës, për marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisioni dhe të një vendimi pozitiv nga Këshilli i vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ky është objektivi im kryesor si Kryetar i Parlamentit.

Po si kryetar i LSI-së, a keni një vendim apo një ide në kokën tuaj se çfarë do të bëni në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, në koalicion me PS-në apo do të konkurroni vetëm?

Nuk kam arsye fare që të nxitoj për mendime të tilla aq më tepër për vendime sepse ato nuk do të jenë asnjëherë vendime personale. Ato do të jenë vendime të forumeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për më tepër që ne kemi edhe zgjedhjet aktualisht në vjeshtë ku rinovohet mandati i gjithë të zgjedhurve të LSI-së, përfshirë edhe Kryetarin e forumet kombëtare. Dhe nuk ka asnjë lloj nxitimi dhe preokupimi për këtë çështje. Preokupimi ynë është përmbushja sa më me përgjegjshmëri e marrëveshjes qeverisëse që ne kemi dhe aktualisht sidomos sa i takon ecurisë sa më pozitive të reformës në drejtësi.

Preokupimi i një partie politike, sigurisht kur jemi në muajt e fundit të mandatit janë edhe zgjedhjet, jeni parti elektorale?

Është edhe një vit përpara.

Një vit nuk është sepse zgjedhjet janë në qershor. Ne kemi hyrë në 9 muajt e fundit. Gjithsesi, z. Meta a keni menduar për krijimin e një grupi nëqoftëse z. Rama nuk ju do në koalicion? Po flasim për zgjedhje, jo në qeveri. A keni mendua për krijimin e një grupi të partive të vogla rreth LSI-së?

Nuk kam patur mundësinë të mendoj për asgjë tjetër sepse angazhimet aktuale janë shumë më të rëndësishme dhe shumë më madhore se sa angazhimet e pas një viti.

Ju folët për zgjedhje për qeveri teknike që garantojnë zgjedhje të lira para pak kohësh. Termi i përdorur për herë të parë pas jush.

Votimin e reformës dhe qeveri ekspertësh.

Po. Për t’i garantuar edhe opozitës besimin e zgjedhjeve të ndershme… Fakti që u miratua reforma në drejtësi, pse nuk e shikoni më të nevojshme këtë gjë? Çlidhje ka reforma në drejtësi me garantimin dhe besimin ndaj opozitës për zgjedhjet e ndershme?

Po mund ta sqaroj këtë propozim timin, i cili synonte në çdo rast garantimin e miratimit të reformës në drejtësi dhe me konsensus sepse mendoj që kjo ishte e domosdoshme. Këtë e kam menduar që ditën e parë. Sot që Shqipëria është e qetë po themi politikisht, jam akoma më i bindur sepse nuk e di se si do të ishte po të ishte miratuar me 93, 94 apo me 96 vota. Për këtë nuk jam i sigurt dhe në këtë drejtim unë vlerësova se ndoshta arsyeja kryesore se përse opozita nuk jepte konsensusin, nuk është se ishte një apo dy çështje konkrete, të cilat ajo kërkonte të drejtat e saj, por mosbesimi se qeveria mund të përdorë ekzekutivin për të ndikuar tek institucionet e reja të drejtësisë që do të krijohen. Pra thjesht krizë mosbesimi. Dhe ky propozim ishte në këtë kontekst, që nëqoftëse ky mosbesim është pengesa kryesore, meqenëse të dyja palët të themi dhe mazhoranca dhe opozita janë për reformën, por është mosbesimi, atëherë kjo do të ishte e vetmja rrugë që reforma të realizohet. Dhe përse qeveri e ekspertëve? Për arsye sepse s’do të kishte kohë për një reformë zgjedhore dhe me një mirëkuptim mund të kalohej edhe problemi i zgjedhjeve. Por e vërteta është që kryetari i opozitës, z. Basha nuk u ndalua në këtë çështje të cilën ai e ka pas ngritur edhe më përpara, e ka pasur pjesë të retorikës së tij, por u përqendrua në garantimin e përfshirjes së opozitës në krijimin e institucioneve të reja sipas rekomandimit të Venecias, 88.

Z.Meta, fakti që reforma në drejtësi u miratua, kjo nuk do të thotë që opozita ka marrë garanci për zgjedhje të lira. Gjithsesi ju u shprehët se në rast se reforma elektorale është e pamundur për shkak të kohës, opozitës i jepej kjo garanci përmes një qeveri ekspertësh për zgjedhje të lira. Po në rast se sërish nuk kemi një Kod Elektoral të miratuar për zgjedhjet e 2017-s, a qëndron opsioni i qeverisë së ekspertëve?

Mendoj se nuk duhet të paragjykojmë sepse janë dy kontekste të ndryshme dhe unë besoj se e sqarova kontekstin e propozimit tim, që ishte në funksion të reformës dhe të pamundësisë për të patur një reformë zgjedhore. Ndërsa tani ne e kemi të gjithë mundësinë për ta kryer këtë reformë, kemi 9 muaj përpara.

Në 2013-n, tre muaj para zgjedhjeve u tërhoqët nga qeveria dhe ndërtuat koalicionin e ri. Për tre muaj bëtë fushatën si parti opozitare dhe donte apo donte asokohe partia në pushtet, PD, e mbajti e vetme koston e qeverisjes së viteve 2009-2013. LSI bëri një fushatë si një parti opozitare. A do të keni mundësi ta bëni këtë shkëputje pak para zgjedhjeve të vitit 2017 apo do të jeni i gatshëm që të merrnin edhe ju kostot si një parti qeverisëse?

Së pari unë mendoj që çdo parti merr kosto në funksion të përgjegjësive që ajo ka në qeveri. LSI ka marrë kostot e saj kur ka qenë me PD-në, ka marrë kostot e saj kur ka qenë aktualisht me PS-në. Përpjekja e partive kryesore për të transferuar kostot te një parti tjetër, mendoj që vjen si përpjekje për të mos njohur përgjegjësitë e veta. Ndëshkohen nga qytetarët dhe nga elektorati dhe çdo forcë merr ato merita dhe ato përgjegjësi që ka në të vërtetë.

LSI nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj, kostove të saj dhe nuk do t’i shmanget asnjëherë, sepse nuk mendon që është një parti perfekte. Mendon që ka mjaft për të mësuar dhe për të përmirësuar dhe së dyti, nuk mendon dhe nuk është aq parti e mençur sa t’ua hedhë qytetarëve shqiptarë.

Në një intervistë të dhënë para pak kohës, keni bërë një deklaratë që për mediat kaloi në heshtje. A ju duket se ju i bëtë një ofertë kryesisht faktorit ndërkombëtar për t’iu lënë rolin e ndërmjetësit, që ata kanë bërë tash e 20 vjet? A ju duket se keni zënë deri diku rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri dhe ndoshta ky është problemi që Ilir Meta mund të ketë pasur gjatë këtyre kohëve edhe kur jeni goditur publikisht ose jopublikisht? Ju thatë se ishit i gatshëm të linit postin e Kryetarit të Kuvendit, mjafton të votohet reforma në drejtësi… A është ky një sinjal për të huajt?

Së pari, ju paragjykoni partnerët tanë ndërkombëtarë sikur ata janë të interesuar që në politikën shqiptare të ketë gjithmonë kontradikta dhe të hyjnë ata t’i zgjidhin. Nuk është ky qëllimi i tyre, përkundrazi…

Z.Meta, nuk kam asnjë lloj iluzioni për faktin që ndërkombëtarët zgjidhjen e krizave e kanë biznes të tyren…

Unë nuk ndaj të njëjtën bindje në përgjithësi. Së dyti, natyrisht që nëse reforma nuk do të ishte miratuar me konsensus, nuk do të isha më sot Kryetar i Kuvendit, absolutisht. Unë kam dhënë dorëheqjen për gjëra më të parëndësishme nga posti i Kryeministrit apo Zv.Kryeministrit e kështu me radhë dhe nuk mund të pranoja unë që të isha kryetar i një parlamenti që i kishte të gjitha mundësitë për të bërë një reformë me konsensus dhe që nuk donte ta bënte këtë gjë për arsye të njëri-tjetrit apo kujtdo, në fund fare unë kisha një përgjegjësi.

Nuk mund të pranoja unë të miratohej një reformë në drejtësi apo një Kushtetutë e re e Shqipërisë, sipas mendimit tim për 20-30 vitet që vijnë me procedura të diskutueshme kushtetuese. Absolutisht, kjo do të ishte mungesë serioziteti ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët nuk e kanë parë reformën në drejtësi si një lojë politike, por si një domosdoshmëri për të ngritur parametrat e shtetit ligjor në një nivel të ri në këtë vend dhe për ta bërë këtë vend një partner më të besueshëm.

Edhe si një anëtar i NATO-s por edhe si një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian. Përsa i takon votave në Uashington, këto atje kanë qenë në kuptimin që të gjithë e kanë pasur të qartë që votat e LSI-së në çdo rast do të ishin për reformën në drejtësi. Për sa i takon rolit tim, unë nuk e kam kërkuar këtë rol, përkundrazi.

Unë që në fillim kam thënë që kjo reformë duhet bërë me konsensus, sepse pa konsensus nuk kishte për të pasur reformë, kjo është e padiskutueshme. Dhe kam thënë që konsensusin mund ta arrijmë me politikën shqiptare vetëm duke iu referuar Venecias. Dhe këtë e kam thënë, dhe po ua them dhe sot këtu, sepse e dija që edhe Berisha, pavarësisht nga mosbesimi apo nga paragjykimet që mund të kishte për vullnetin e sinqertë të mazhorancës për reformën në drejtësi, përsëri ndaj Venecias nuk dilte kundër. Sepse edhe kur ka qenë rasti për të hapur kutitë e votimit pas vitit 2009, ishte një kërkesë e Partisë Socialiste pasi ishte krijuar parlamenti, Berisha ka thënë ta çojnë në Venecia. Po qe se Venecia thotë që mund të hapen dhe nuk cenohet Kushtetuta, unë i hap. Por unë vetë nuk e krijoj këtë precedent, sepse në Shqipëri pastaj pas çdo procesi zgjedhor do të hapeshin kutitë. Dhe kjo ka qenë një arsye që unë kam insistuar, sepse Venecia është institucioni është i pakontestueshëm në Evropë dhe në gjithë botën demokratike për standardet e Kushtetutës, të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Së dyti, kam thënë gjithmonë që ne jemi gati të votojmë çdo marrëveshje PD-PS, nuk kishim asnjë problem. Së treti, e kemi bërë të qartë me kohë që ne votojmë pro. Në rast se PD-ja është e vendosur që nuk do të votojë, pra që nuk e do këtë reformë për 100 arsye, atëherë ne çdo reformë sipas standardeve të Venecias e votojmë edhe pa PD-në. Por duhet bërë çdo përpjekje që PD-ja të përfshihet në këtë proces.

Dhe angazhimi im ka qenë në momentet e fundit, ku kam vënë re që mundësia e konsensusit ekzistonte dhe duhej krijuar klima që ajo të realizohej siç u realizua. Në rast se takimi Rama-Basha do të kishte rezultuar në një zgjidhje, nuk do të kishte nevojë as për një angazhim timin më të madh sa duhej dhe asgjë tjetër. Por në fund fare unë kisha një përgjegjësi shumë të rëndësishme si Kryetar i Kuvendit, sepse këto procedura po zhvilloheshin dhe do të përmbylleshin në Kuvendin e Shqipërisë.

Z.Meta, ju ishit i ftuar në Konventën e Demokratëve në SHBA së bashku me liderin e opozitës z. Basha. Nuk ishte z. Rama, a kishte një ftesë për të apo nuk e keni një informacion të tillë?

Nuk mund të jap një përgjigje të qartë, për këtë mund t’i drejtoheni partisë socialiste apo Kryeministrisë, por aty ishte z. Majko, znj. Xhaçka, kështu që nuk shikoj ndonjë arsye për një pyetje të tillë. Ishte një ish-Kryeministër gjithsesi nga PS…

A jeni takuar me z. Basha privatisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Nëse po çfarë keni diskutuar politikisht me të?

Jemi takuar disa herë, sepse ne kemi qenë 2-3 ditë atje bashkë. Kemi diskutuar për reformën në drejtësi. Vetëm kaq.

Keni dhënë votën dhe keni qeverisur me z. Nano si Kryeministër. Keni dhënë votën dhe keni pasur Kryeministër z. Berisha. Keni Kryeministër z. Rama megjithëse ju personalisht nuk jeni pjesë e kabinetit qeveritar, që sigurisht është zgjedhja juaj. A mund të pranonit të ishit ministër në qeverinë e Lulzim Bashës?

E filluam me presidentin, kaluam te lideri i opozitës dhe tani po shkojmë te ministri. Kur një politikan është profesionist nuk ka rëndësi se çfarë funksioni ka, rëndësi ka se si e realizon atë në kuadrin e një qëllimi më të përgjithshëm të politikës që ai përfaqëson. Kështu që në këtë kuadër unë mund t’iu them që asnjëherë nuk i shikoj si raporte… .

Keni pranuar të ulni standardin e hierarkisë nga Kryeministër në ministër, por me dy kryeministra të fortë politikisht si z. Nano dhe z. Berisha. Nuk e bëtë këtë gjë me z. Rama, a do ta bëni një gjë të tillë me z. Basha?

Unë nuk mund t’iu them aspak dhe nuk dua që t’iu zhgënjej që të them se z. Basha nuk më duket që ka shumë mundësira si Kryeministër i ardhshëm. Nuk dua të prish klimën e konsensusit me opozitën në tërësi dhe nuk dua të ushqej asnjë lloj paragjykimi. Janë qytetarët shqiptarë ata që vendosin rolin e çdo force politike, janë qytetarët shqiptarë dhe vetë forcat politike ato që vendosin dhe për rolin e drejtuesve të tyre.

A ka z. Basha shanse për t’u bërë Kryeministër?

Jemi në kuadër të konsensusit dhe është e rëndësishme të bashkëpunojmë për Vetting-un dhe për ligjet e tjera që e bëjnë të zbatueshme sa më shpejt reformën në drejtësi.

Qartësisht duket se ju nuk besoni se z. Basha do të bëhet Kryeministër…

Kjo nuk është e rëndësishme fare. Edhe për shqiptarët nuk është e rëndësishme se kush është dhe kush do të jetë. Për shqiptarët është e rëndësishme të qeverisen më mirë në një mënyrë sa më efektive, sa më të përgjegjshme, sa më llogaridhënëse dhe secili, që fiton këtë besim të shqiptarëve duhet të drejtojë vendin.

Nga mënyra e përgjigjes duket e në 2017-n do të kemi një garë Meta-Basha për funksionin e Kryeministrit…?

Nuk kam asnjë bast personal përpara.

Çim Peka: Falemiderit