Transmetuar më 10-08-2016, 11:02

Destinacioni turistik i plazheve të virgjër, Alpeve fjordike dhe gjurmëve të civilizimit romak, rivierës mahnitëse, qyteteve me arkitekturë unikale, kuzhinës perfekte tradicionale…

Nga Vangjel Maskaj

Shqipëria është destinacioni turistik i plazheve të virgjër, Alpeve fjordike dhe gjurmëve të civilizimit romak. Vendi më i vogël mesdhetar në Europë, me një rivierë mahnitëse dhe Alpe fjordike, pa aeroporte të zhurmshme dhe porte luksi, për më tepër një kulturë të civilizimit romak, po kthehet destinacioni më i preferuar i turizmit në Europë e botë. Pak milje larg me Italinë dhe Greqinë, me një vijë bregdetare mahnitëse, ujëra të kristalta, plazhe të virgjër, brigje diellore dhe shkëmbore, rërë të bardhë, e perëndime fantastike, ajër të pastër, natyrë plot gjelbërim, pa turma të mëdha turistësh, pa kosto të lartë pushimesh, me një kuzhinë perfekte tradicionale me kualitet dhe bollëk, verëra të famshme platonike dhe produkte bio, ka zgjuar interesin e agjencive prestigjioze.

Vendi me hotele (nga 3-6 yje), me vila dhe apartamente me makina luksoze, restorante dhe diskoteka klasi, me infrastrukturë rrugore totalisht tëre po tërheq vëmendjen.

Vendi me gjurmë të civilizimeve të ndryshme po kthehet në një prej atraksioneve turistike më të kërkuar të rajonit,kjo falë fqinjëve si Italia dhe Greqia që po zhvillojnë turizmin bilateral kohët e fundit. Shqiptarët në shekuj kanë pasur lidhje të hershme me Romën e lashtë, secilës i ka dhënë 20 perandorë. Rrugët e Romës së lashtë dhe Apolonisë janë ndërtuar me mermerin e gjirit të Gramës, një ndër gjiret me plazhin më të bukur të Rivierës shqiptare. Në Gjirin e shenjtë zbarkoi Çesari i madh për t’u ndeshur me Pompein në betejën famshme të Orikut.

Shqipëria njihet ndryshe dhe si porta lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Kjo urë lidhëse është shfrytëzuar që në lashtësi për tregtimin e skllevërve, produkteve blegtorale dhe bujqësore në vitet e pluralizmit pas rënies së komunizmit ka shërbyer për transportin e klandestinëve dhe lëndëve narkotike, si linja më e shkurtër detare, ndërsa sot shërben si itinerar turistik i kërkuar. Shqipëria njihet si një ndër vendet më të virgjër që lagen nga brigjet mesdhetare. Vendi, i cili është quajtur “Sekreti i fundit i Mesdheut”, sot po promovohet me sloganin “Go your own way”. Shqipëria pret çdo vit rreth 6 milionë turistë nga Europa dhe bota.

Në një intervistë ekskluzive për revistën“Albanian Tourism Magazine” 3 vite më parë, ish-ambasadori italian, Massimo Gaianni, do të deklaronte se Shqipëria është pak e njohur nga turistët italianë, krahasuar me vendet fqinje, por gjithsesi ka të njëjtat perspektiva zhvillimi me to. Nisma që ambasada italiane ka ndërmarrë për njohjen e Shqipërisë turistike dhe vlerave të trashëgimisë kulturore, historike, nëpërmjet medias dhe gazetarëve të njohur italianë, po jep efektet maksimale. Konkretisht “Corriere della Sera” do të shkruante pak ditë më parë se plazhet e virgjër të Rivierës shqiptare krahasohen me ato të Karaibeve, ndërsa gazetari i njohur Bruno Vespa do të shprehej se: “U njoha me Shqipërinë turistike dhe vendet e saj mahnihtëse nëpërmjet botimit turistik “Albania Guide”, një dhuratë e veçantë kur kryesova jurinë ndërkombëtare për përzgjedhjen e logos dhe sloganit që do të përfaqësojë Shqipërinë turistike nëpër botë.

Në kushtet e sotme të zhvillimit të turizmit rajonal dhe më gjerë në Alpet Europiane, Mesdheu dhe brigjet e tij detare me kulturën e lashtë dhe tëre janë në një rajon të rëndësishëm të lëvizjes turistike ku turizmi është një ndër arteriet kryesore të ekonomisë të të bërit biznes turistik në tregun global ka bërë që shqiptarët të bëjnë një pastrim të madh të brendshëm shpirtëror; Filozofia se Shqipëria do të bëhet një ditë si Italia, Franca, Greqia, Kroacia, Spanja, Turqia, Portugalia etj., ka rritur ndjeshëm investimet vendase dhe të huaja në këtë sektor.

Turizmi në Shqipëri mund të jetë një burim i madh pasurimi gjithmonë nën paktin që “lakmia të mos masakrojë” brigjet e virgjra dhe të mrekullueshme të vendit. Këtë fenomen të një rëndësie kombëtare mesa duket krerët e lartë të politikëbërjes në Shqipëri e kanë kuptuar. Prioritet i prioriteteve për një rritje të ekonomisë kombëtare ngelet turizmi. Kryeministri aktual, z. Edi Rama, po investohet fuqishëm në strategjinë e zhvillimit urban dhe territorit.

Turizmi gjithëvjetor është shumë i pranishëm, por ekzistojnë mundësitë e frekuentimit dhe zhvillimit të këtij lloj turizmi bilateral edhe me shtetet fqinje si Italia e Greqia. Agjenci turistike prestigjioze e kanë kthyer në itinerar turistik kulturor Shqipërinë, si pasuri e trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO qytetet si Berati dhe Gjirokastra për kulturën dhe historinë e tyre të lashtë mijëravjeçare po tërheqin miliona turistë çdo vit, spikasin si pasuri unikale në botë. Kodikët e Beratit, të cilët janë libra dhe regjistra kishtarë të shekullit VI pas Krishtit (Kodiku i Artë përbëhet nga 413 fletë me kapakë të argjendtë dhe shkronja ari të tretura në të. Ndërsa Kodiku i Purpurtë i Beratit që është kopje e vetme në botë përbëhet nga 190 fletë me kapakë floriri dhe është pasuri e UNESCO-s.

Arkitektura unikale e këtyre qyteteve po rrit ndjeshëm interesin për turizmin e diversifikuar të nivelit të lartë, siç e meriton dhe e ka potencialin çdo zonë turistike në Shqipëri. S’mund të lëmë pa përmendur listimin e pasurive natyrore në Konventën e RAMSAR të mrekullive shqiptare si Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit. Ishulli i pelikanit kaçurrel në Karavasta, ku 7% e kësaj specie unikale në botë rritet në lagunën e Karavastasë liqenin e Ohrit.

Parqet kombëtare si ai i Dajtit në kryeqytet në Shqipërinë e Mesme, ai i Llogorasë në Vlorë në Jug të Shqipërisë, Parku Kombëtar i Razmës në Veri, Voskopojës dhe Dardhës në Juglindje njihen si zonat më tërheqëse për turistët e huaj dhe bashkë me zonat malore në thellësi të Alpeve Shqiptare si Thethi, Valbona, Lura,Shishtaveci, Vermoshi, ku peizazhi fiordik nëpërmjet lundrimit me traget në liqenet e Komanit dhe Fierzës të bën të ndihesh në një botë tjetër ku mbizotëron qetësia absolute larg zhurmave të qyteteve të mëdha.

Ajri i pastër, fëshfërima e erës gurgullimat e ujit të përrenjve së bashku me gjelbërimin e bjeshkëve të bëjnë të përjetosh një botë tjetër virtuale. Qytetet më kryesore bregdetare si Durrësi, Vlora, Himara, Orikumi, Saranda, Lezha, Shkodra mbartin elemente të lashtësisë së qytetërimit romak si Amfiteatri Romak i Durrësit (+Torra Veneciane në Sarandë,Porto Eda në Vlorë, rrugët e bardha të Çesarit të madh dhe arena e Orikut një qytet nënujor i pazbuluar ende në fund po theksojmë mikpritjen që së bashku me bashkëjetesën fetare përbëjnë një prej virtyteve unikale në botë.

Besoj se vizita e kreut më të lartë të Vatikanit në Shqipëri nxori më në pah këtë vlerë unikale të bashkëjetesës fetare në Shqipëri po rritet ndjeshëm dhe turizmi kurativ dhe universitar ku rreth 20000 studentë italianë frekuentojnë studimet e larta në universitetet shqiptare si ai i Zonjës së Këshillit të Mirë. Vendi i Fjordeve Alpine dhe kaltërsive detare është kthyer në një Thesar për t’u zbuluar. Si fotoreporter dhe njohës i mirë i pasurive unikale të natyrës shqiptare, si asaj malore të Alpeve dhe asaj bregdetare personalisht ju rekomandoj të vizitoni, të pushoni dhe të investoni në këtë vend magjepsës. Siguria, pozicioni gjeografik, burimet njerëzore,lehtësitë fiskale dhe afërsia rreth 60…. milje larg Italisë dhe 10 milje larg Greqisë patjetër do t’ju çojnë drejt suksesit./Monitor