Transmetuar më 07-08-2016, 08:42

Maqedonia dhe më konkretisht Shkupi është përfshirë nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës së kaluar, duke shënuar dhjetëra viktima e të zhdukur.

Zona më e prekur është “Hasanbeg”, vend ku fillimisht u tha se një person ka humbur jetën.  Dyshohet se viktima e seksit femër, ka humbur jetën e goditur nga rrufeja. Në një pjesë të kësaj zone uji u ka mbuluar katet e para të shtëpive.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, sipas mediave vendase, konfirmoi paraditen e sotme se si pasojë e përmbytjeve në vend, kanë humbur jetën 20 persona. Ishte shterimi i ujit ai që nxorri në pah bilancin tragjik të viktimave gjatë paradites së të dielës, ndërsa dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur.

Viktimat janë nga Haraçina, Hasanbegu dhe Stajkovci, zonat më të goditura nga moti i keq.Probleme për shkak të reshjeve ka pasur edhe në komunën e Çairit, komunë në të cilën jetojnë edhe shqiptarë. Mes viktimave dyshohet se dhjetë janë shqiptarë./a.y/noa.al