Transmetuar më 02-08-2016, 00:00

Nerxhivane Berisha, 31 vjeçe, e paralizuar, me aftësi të kufizuara lëvizëse, ka qenë ndër personat më të angazhuarat në propagandën fetare përmes radios dhe faqes së internetit Ansar.

Mediat kosovare raportojnë se në një dhomë të mbushur materiale fetare në shtëpinë e saj në Han të Elezit ajo ka qenë administratore e faqes Ansar, që është mbyllur ditë më parë nga policia e Kosovës.

Ajo ka qenë një nga aktivistet kryesore të këtij rrjeti social, që është bastisur brenda shtëpisë së saj para pak ditësh.

“Paraliza e kësaj vajzë është në shkallë të rëndë, ku ajo nuk mund të kryejë as nevojat fiziologjike, pasi është me gypa e qese plastike. Ajo ka mundësi që të lëvizë vetëm gishtërinjtë dhe qafën”, bën të ditur burimi i gazetës Zëri.

Si rezultat i gjendjes së saj të rëndë shëndetësore,  Policia e Kosovës, nuk ka mundur që ta arrestojë Nerxhivane Berishën.

Megjithatë ndaj saj është ngritur kallëzim penal.