Transmetuar më 31-07-2016, 11:13
Nuk ka më dilemë. Qytetarët e Kosovës, që duan të pajisen me patentën e shoferit, do të paguajnë më shumë. Me ligjin e ri të miratuar në Kuvendin e Kosovës, nga 16 orë që duhej mbajtur për kategorinë B, është rritur në 20. E bashkë me to, është rritur edhe çmimi e kërkesat për dokumente të cilat duhet të posedojnë kandidatët.

Për të marrë patentën e shoferin, qytetarët duhet të paguajnë 90 euro taksa të tjera shtesë, ndërsa për një vërtetim 24 euro. Kontrollet mjekësore, pritet të kushtojnë 20 euro, ndërsa për certifikatën e Kryqit të Kuq 15 euro. Shuma 20 euroshe, do të jetë totali për paraqitjen e dy provimeve, raporton Gazeta Fjala. Në Ministrinë e Infrastrukturës, thonë se që nga 26 qershori ligji është në fuqi dhe është duke u punuar sipas tij.

“Ligji për patentë shofer është miratuar, me 10 qershor është publikuar në Gazetën Zyrtare të Kosovës, prej 26 qershorit 2016 është në fuqi dhe është duke u punuar sipas këtij ligji”, thonë një zyrtar në MI.

Megjithatë, në autoshkolla ende nuk ka ndryshuar ndonjë gjë. Muhamet Behrami, pronar i një autoshkolle në Prishtinë, thotë se çmimet vazhdojnë të mbesin të njëjta, vetëm se është rritur numri i orëve që kandidatët duhet të mbajnë.

Mundësia, për të marr patentën e shoferin me çmimin e vjetër, do të jetë vetëm deri në miratimin e ligjit të ri. Më herët Ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku, ndryshimet e tilla i kishte arsyetuar, se janë në përputhje me praktikat evropiane.

“Rritja e numrit të orëve natyrisht do të thotë kosto shtesë për auto shkollat por që do të reflektohet në aftësimin me cilësorë të kandidatëve për patentë shofer”, ka treguar ministri Zharku.

Mirëpo, rritja e orëve nuk duket të jetë risia e vetme e ligjit, ndryshime të tilla pritet të bëhen edhe me monitorimin e testit të mbajtur.

“Sa i përket procedurave ne presim që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të aplikojmë testimin elektronik në pjesën teorike, kurse në pjesën praktikë do të bëjmë monitorimin e testimit përmes kamerave që do të instalohen në makinën me të cilën kryhet testimi”, ka deklaruar më herët Zharku.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë