Transmetuar më 11-07-2016, 19:14

Tiranë, 11 korrik 2016, NOA.al -Arrestohet Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, pasi akuzohet për abuzime me tenderat e furnizimit me ushqime në burgje.

Gjykata vendosi pasditen e sotme masën arrest me burg për Iljaz Labin me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda.

E njëjta masë u vendos edhe për administratorët e katër kompanive private, të dyshuar për “korrupsion aktiv”, gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në referim përcillej informacioni se disa kompani private, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas informacionit paraprak, dyshohej se këto kompani private realizonin qëllimin e tyre duke bashkëpunuar me zv.Drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve.

Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin, në bazë të të cilit rezultoi si vijon:

Administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.

Nga hetimi ka rezultuar se administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakort për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentat e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata benin. Administratorët e këtyre shoqërive paraprakisht përcaktonin edhe se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi. Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, përfitonin duke lidhur kontrata formale dhe jo formale me shoqëritë fituese dhe operonin në cilësinë e nënkontraktorit me njërën nga shoqëritë fituese.

Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyre fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”, e cila ka datë lidhje kontrate 31.05.2016 dhe me vlerë totale të kontratës 22.647.936. Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milion lekë të reja te zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit.

Personi i dyshuar, Iljaz Labi, ka mbajtur në mënyrë kontakte dhe ka zhvilluar takime të vazhdueshme me personat nën hetim, Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, duke kërkuar prej tyre përfitim për procedurën e prokurimit të datës 31.05.2016, edhe pse kontraktuesi është subjekti “Nelsa”, me administrator shtetasin Nexhmi Balla. Nga veprimet e tij, del qarte dijenia për kryerjen e procedurës së prokurimit në mënyrë fiktive. Detyra funksionale e tij është pjesë e zinxhirit përkatës që nga fillimi i nisjes së procedurës së prokurimit dhe deri ne lidhjen e kontratës.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, gjë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, për shtetasit, si më poshtë:

Iljaz Labi, me detyrë zv.Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve Elidjan Laskaj, administrator i shoqërisë “Dogel” Ylber Kalaja, administrator i shoqërisë “Vllaznia” Shemsi Sinani, administrator i shoqërisë “M.B.Kurti” Nexhmi Balla, administrator i shoqërisë “Nelsa”

Vendimet e Gjykatës për Krime të Rënda janë ekzekutuar pasditen e së Hënës (dt.11.07.2016) nga ana e forcave të Policisë së Shtetit

Ndërkohë, në hetim janë edhe disa procedura të tjera prokurimi publik, të zhvilluara në periudhën janar-mars 2016, të përfituara nga i njëjti grup personash.

/a.k/noa.al/