Transmetuar më 25-04-2016, 06:55

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbledhur në Dibër, në qytetin e Peshkopisë mbështetësit e saj për procesin e anëtarësimeve të reja dhe zgjedhjeve për strukturat e partisë, të cilat do të zhvillohen në 21 maj.

Në këtë takim, kryetari i PDIU-së z.Shpëtim Idrizi, u bëri apel partive shqiptare në Maqedoni që të bashkohen

“Partitë e shqiptarëve në Maqedoni duhet të mblidhen të gjitha bashkë e t’i japim zë shqiptarëve aty, e të mos bashkohen me partitë maqedonase. Sepse shqiptarët aty nuk janë si minoritet, por si shtetformues, janë në vendin e tyre, janë në trevat e tyre”.

Kreu i PDIU-së, Idrizi, u ndal edhe te rruga e Arbërit. Ai tha se ajo është rruga që lidh 25% të shqiptarëve dhe shtoi se duhet të ishte ndërtuar tashmë. Z.Idrizi u zotua se bashkë me deputetët e PDIU-së do të bëjnë gjithçka që kjo rrugë të ndërtohet.

“Fatkeqësisht edhe këtu në Dibër realiteti është i ndryshëm. Është e pafalshme që kjo zonë ka njerëz të mrekullueshëm dhe punëtorë, që nxjerrin bukën e gojës me punën e tyre, është harruar. E për çfarë?! Duhen 3 orë e gjysmë për ta lidhur Dibrën me kryeqytetin e Shqipërisë. Ka kaq kohë që politika shqiptare iu ka premtuar një rrugë dhe ku jemi?! Ka kaq kohë që politika shqiptare bën studime fizibiliteti se ku do të kalojë rruga.  Po unë e di shumë mirë, se këtë studim fizibiliteti e kanë bërë 100 vjet përpara karvanët me kuaj të dibranëve që e gjenin rrugën më të shkurtër për në Tiranë.  Rruga e Arbërit është një rrugë që lidh 25% të Shqipërisë, është rruga që na lidh me shqiptarët e Maqedonisë. Ky është detyrimi ynë,  ndaj ne bashkë me deputetët e PDIU-së do të bëjmë gjithshka, që kjo rrugë të ndërtohet”, – u shpreh kreu i PDIU-së në fjalën e tij. /a.b/noa/al/