Transmetuar më 11-04-2016, 19:50

Këngëtarja e mirënjohur në Greqi, Eleni Fureira, e cila deri dy vjet më parë e kishte mbajtur të fshehur faktin që ishte shqiptare, në një intervistë që publikohet e plotë këtë të diel (18 prill), flet mbi origjinën e saj dhe planin për t’u rikthyer në Shqipëri ku edhe u lind.

Këngëtarja që tani është rreth 30 vjeçe, e intervistuar nga “People” e “Proto Thema” në Athinë, thotë se është lindur në vendin e shqiponjave por nuk ka shkuar kurrë më në Shqipëri qyshkurse emigroi familjarisht në Greqi.

“Nga atëherë kur unë erdha në Greqi, nuk shkova më kurrë në Shqipëri. Nuk ka qëlluar të shkoj”, – pohon Eleni.

Kurse tregon dëshirën për të ardhur më në fund në vendin ku u lind: “Dua tani që të shkoj dhe të njoh vendin ku jam lindur. Suksesi i një njeriu nuk njeh as ngjyrë, as fe dhe as vendlindje”, – thotë Eleni.

“Kjo ama, – shton ajo, – është diçka që e themi tani, në vitin 2016 dhe gëzohem shumë që më në fund të rinjtë janë të lirë dhe pa komplekse që të flasin hapur për gjithçka. Është gjynah të konfliktohesh, të hakmerresh deri dhe për gjënë më të vogël. Duhet të shohim anët e mira tek një person dhe mos presim te cepi që ta kapim e sulmojmë”, – thotë Eleni Fureira ndër të tjera në intervistën që e plotë publikohet në revistën që shoqëron gazetën më të madhe në Greqi.

Sakaq në mediat greke, nuk reshtin përditë kronikat rozë për këngëtaren shqiptare. Duke e cilësuar përherë një këngtëtare të famshme dhe të mirënjohur, mediat greke po merren me shumë detaje të jetës dhe familjes së saj.

Ditët e fundit iu dha jehonë dhe plaçkitjes së shtëpisë së motrës së saj Margarita e cila po ashtu jeton në Greqi.

Ndërkohë, foto të zgjedhura që tregojnë imazhe të Elenit plot sharm dhe trup ndjellës, foto që noa.al jua sjell më poshtë, janë shumë popullore kohët e fundit në mediat dhe rrjetet sociale në Greqi.

Ndër fotot është edhe e treta që shihni më poshtë, ku bëri bujë fakti se për herë të parë Eleni u zhvesh në një krevat dhe fotoja u bë virale në rrjet. /a.b/noa.al/

Këngëtarja Eleni Foureira: Pse fsheha faktin se jam shqiptarja Entela Fureraj

Më herët në një intervistë që e gjeni këtu, Eleni Fureira, një ndër emrat më të njohur të muzikës së viteve të fundit në Greqi, përfaqësuese e Greqisë edhe në Eurovizion, tregoi se ajo ishte detyruar që të mbante ë fshehtë faktin se ishte shqiptare dhe ishte lindur në Shqipëri.

Bukuroshja Eleni Foureira (Entela Fureraj), tregoi se është vajzë e Kristaqit nga Fieri dhe Marietës nga Vlora.

Deri vonë, ishte thënë se Eleni (Entela) ishte lindur në Greqi. Por e vërteta është se ajo është lindur në Shqipëri më 7 mars 1987.

Para se të niste karrierën si këngëtare, vajza u shqua si modele, raporton noa.al. Më tej ajo ishte pjesëtare e grupit të njohur muzikor grek, “Mystique”.

Në vijim ajo u bë emër i njohur i këngës dhe në vitin 2010 këndoi në Eurovizion duke përfaqësuar Greqinë.

Në intervistën e saj, Eleni pohonte se ishte detyruar të mbante të fshehur këtë fakt për shkak se ekziston një frymë e gjerë raciste ndaj shqiptarëve.

“Unë kam ndjerë një atmosferë të vazhdueshme racizmi në shkollë dhe më tej kur nisa karrierën time si këngëtare. Detyrohesh të fshehësh seksualitetin tënd, apo kombësinë tënde. Këto ndodhin. Dhe unë, fsheha faktin se jam lindur në Shqipëri. E bëra këtë sepse kur shkoja në fillimet e mija në shtëpi diskografike, u mjaftonte të mësonin se isha shqiptare për të më shpërfillur”, – tregon Eleni (Entela).

Ndërsa shtonte: “Por unë që e vogël e kam ndjerë dhe e ndjej se jam greke. Unë nuk di gjuhë tjetër. Këtu mësova gjuhën, greqishten, abetaren e saj. Ndaj edhe i thashë vetes se asgjë nuk do të më pengonte që të bëj atë që dua dhe të realizoj ëndrrat e mija”, – ishte shprehur këngëtarja me origjinë shqiptare. /a.d/noa.al/