Transmetuar më 15-03-2016, 22:11

Gjatë sulmit terrorist në qytetin turistik “Grand Basam” në Bregun e Fildishtë, ka humbur jetën edhe shtetasja e Maqedonisë, Anita Andreevska, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë.

Nga informacionet e marra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Vullnetarë, u mësua se shtetasja maqedonase ka humbur jetën më 13 mars të këtij viti në qytetin “Grand Basam”.

Gjatë sulmit vdiqën edhe dy pjesëtarë të ushtrisë si dhe 14 civilë.

Pak orë para tragjedisë së frikshme, Anita Andreevska kishte publikuar në Facebook një foto të saj me statusin: “Hello Sunday”.

MPJ maqedonase zhvilloi sot një takim me familjen e të ndjerës dhe i shprehën ngushëllime për humbjen. Zyrtarët e MPJ siguruan se do t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme në pajtim me dispozitat ligjore për bartjen e kufomës së të ndjerës në vendlindje.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Poposki dërgoi telegram ngushëllimi tek homologu i tij nga Bregu i Fildishtë Abdalah Albert Tojkus Mabri dhe shprehu keqardhje për të gjithë viktimat e aktit të tmerrshëm.

Ai theksoi se Republika e Maqedonisë e dënon këtë akt dhe shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë ndaj të gjitha vendeve që përballen me sulme terroriste.

“Maqedonia mbetet edhe më tej e përkushtuar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë kërcënime të përbashkëta për mbarë botën dhe ndaj të cilave duhet që mbarë bashkësia ndërkombëtare t’iu kundërvihet”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 mars në një plazh të frekuentuar në qytetin Grand Bassam të Bregut të Fildishtë. Të paktën 14 persona kanë mbetur të vrarë pas këtij sulmi nga persona të armatosur.