Transmetuar më 03-03-2016, 05:23

Mes mijëra refugjatëve të mbetur në kufirin greko-maqedonas prej ditësh, ka një numër të madh fëmijësh që, ndonjëherë, në rrëmujë e sipër shkëputen nga familjet dhe humbasin.

I tillë ishte rasti i Muhamedit 5 vjeçar, një djalë sirian nga Alepu, i cili humbi familjen gjate rrëmujës përpara gardhit me tela me gjemba.

Muhamedi iu ngjit pas një gazetareje të televizionit norvegjez TV2, e cila nisi të kërkonte familjen e të miturit me ndihmën e disa djemve më të rritur.

U deshën 24 orë për të gjetur prindërit dhe 2 motrat e djalit mes morisë së tendave dhe njerëzve që lëvizin shpesh.

Gëzimi i të gjithëve është i madh kur djali gjen familjen, ndërsa gazetarja Mirian Virik merr si dhurate një të puthur.

E ëma e Muhamedit tregon se e humbi djalin gjatë skenave të trazuara përpara gardhit, kur ra pa ndjenja me vajzën e vogël në krahë.

Ajo thotë: Kur u përmenda, nuk dija ku isha vete, nuk dija ku i kisha fëmijët. Muhamedi thotë se ndjehet i lodhur dhe i uritur se kërkon të shkoje në Gjermani, nuk e di se ku ndodhet ky vend por i kanë thënë qe aty do të jetojë më mirë.