Transmetuar më 18-01-2016, 18:18

Maqedoni, 18 janar 2016, NOA.al – Nikolla Gruevski ka konfirmuar pas takimit me partnerët e koalicionit se zgjedhjet në Maqedoni do të mbahen përfundimisht më 24 prill. Gruevski gjatë prononcimit të tij tha gjithashtu se marrëveshja e qershorit dhe korrikut ishte arritur që vendi të mund të gjej sa më shpejtë zgjidhje për të kapërcyer krizën.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin dalja më e mirë e vendit nga kriza politike. Për këtë qëllim, katër partitë politike dhe në ndryshimet e kodit zgjedhor u pajtuan se 24 prilli është koha optimale për zgjedhje. LSDM,VMRO-DPMNE, BDI-ja dhe PDSh u morën vesh dhe së bashku votuan në Kuvend që të ketë zgjedhje më 24 prill për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Zgjidhja e krizës politike e kaloi edhe fazën e fundit, prandaj u dakorduam që zgjedhjet të mbahen në prill konform marrëveshjes së Përzhinës. Maqedonia duhet të shkojë përpara”- deklaroi Gruevski.

Më tej kryetari i VMRO-DPMNE-së konsideron se mbajtja e zgjedhjeve do të ndihmojë që të hapen perspektivat e Maqedonisë drejt integrimit në BE dhe NATO, ndërsa qytetarët të dalin nga izolimi i krizës, e cila ishte prezente më shumë se një vit./noa.al/