Transmetuar më 10-10-2015, 20:59

Ministria e Punëve të Brendshme të IRJM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë), është duke larguar shqiptarët nga pozitat drejtuese, në kuadër të një fushate “spastruese” që synon përfshirjen në këtë dikaster të të besuarve nga VMRO.

Më pak se një javë para ardhjes së kuadrit opozitar në krye të MPB-së, kjo ministri po punon fort për vendosjen e kuadrove të bindur dhe të besuar të VMRO-së në pozita adekuate udhëheqëse.

Pas sjelljes së sistematizimit të ri, gjatë dy ditëve të fundit ka vijuar me shpërndarjen e vendimeve të reja.

Por, ajo që bie në sy është largimi i atyre pak shqiptarëve nga pozitat udhëheqëse.

Në Sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë nga sot asnjë shqiptar nuk është më në pozitë udhëheqëse. Kryeshefi i Sektorit, i policisë së uniformuar, i policisë kriminalistike, i analitikës, komandanti i policisë së komunikacionit si dhe i stacionit policor në Kumanovë, që të gjithë janë emëruar nga bashkësia etnike maqedonase.

Gjithashtu komandantët e stacioneve kufitare Bellanoc, Sopot dhe Tabanoc janë emëruar maqedonas – edhe pse deri më tani në Goshicë dhe Bellanoc deri më tani kanë qenë shqiptarë.

Edhe në konkursin e fundit për pranimin e 600 punonjësve të rinj, vetëm 46 ose më pak se 8% janë shqiptarë, me çka në mënyrën më flagrante thyhet Kushtetuta e Maqedonisë, respektivisht Amendamenti kushtetues për përfaqësim të barabartë dhe adekuat të bashkësive etnike.

Në krye të ministrisë është ende Zemri Qamili, zëvendësministër i MPB, që duket se ka mbetur një zë i shurdhër përballë furtunës ndaj shqiptarëve.