Transmetuar më 03-08-2015, 20:36

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski pas 3 muajsh për herë të parë flet haptazi për përleshjen e armatosur në Kumanovë ku humbën jetën 10 shqiptarë nga Kosova dhe 8 policë të njësitit për intervenim të shpejtë.

Sipas Gruevskit ky rast dhe rastet tjera janë dëshmi se Maqedonia po kërcënohet seriozisht nga grupe radikale dhe terrorizmi ndërkombëtar. Gruevski madje apeloi se “radikalistët” dhe “terroristët” një ditë granatat dhe bombat mund t’i shpërthejnë para banesave dhe shtëpive tona në Maqedoni. Ai këto komente i bëri me rastin e shënimit të festës së Ilindenit në Shkup.

“Grupet radikale haptazi po kërcënohen, ndërsa herë pas here edhe veprojnë. Patjetër duhet t’i forcojmë kapacitetet tona që të ballafaqohemi me këta grupe. Ngjarjet që ndodhën në Kumanovë, dhe hedhja e herë pas hershme e granatave dhe bombave na rikujtojnë se kërcënimet e këtilla nuk janë larg si në Francë, Belgjikë, Norvegji ose në Amerikë, qoftë në Irak ose në Siri. Ata mund të vijnë edhe në rrugët tona, në hyrje të banesës apo shtëpisë me çka rrezikojnë jetën tonë dhe familjarëve”, – ka deklaruar kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.

Aksioni policor më 9 maj 2015 në Kumanovë nxiti dyshime të mëdha se u inskenua nga shërbimi sekret maqedonas i udhëhequr nga ish drejtori, Sasho Mijallkov që është kushëriri i kryeministrit.

Gruevski mbajti një “leksion të rrejshëm” duke dashur që të arsyetohet para popullatës në vend se rastin e Kumanovës kinse e kanë kryer grupe terroriste.

Ndryshe anketa e fundit e IRI-t flet se mbi 60 për qind e popullatës mendon se rastin në Kumanovë e ka projektuar kryeministri, Nikolla Gruevski së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të VMRO-DPMNE-së.