Transmetuar më 16-06-2015, 17:19

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka prishur marrëveshjen e ditëve të fundit ku qeveria e Gruevskit i hapte rrugën zgjedhjeve të parakohshme prillin e ardhshëm me kusht që të mos dalin video të reja dhe sot ka publikuar një tjetër video që quhet “Bomba 38”.

Në një bisedë tjetër mes ish ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska me një person tjetër, ish ministrja i quan me nënçmim shqiptarët e Maqedonisë si indianë.

Ndërkohë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka shpalosur një bisedë e cila sipas tij dëshmon se si Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë, i është dhënë kompanisë norvegjeze, pronë e një shqiptari nga Maqedonia, edhe pse kësaj kompanie i ka munguar një dokument, për dallim nga kompania turke e cila ka pasur dokumentacionin e plotë.

Në qendër të bisedave të regjistruara kanë qenë edhe aktivitetet e zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Në një bisedë të prezantuar është dhe ajo mes Kryeministrit Nikolla Gruevski me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me një godinë para ndërtesës së ambasadës amerikane.

Gruevski thotë se ndërtesa është jolegale dhe se duhet të prishet.

Në të njëjtën bisedë Zaev tha se dëshmohet se në këtë rast janë përfshirë zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, shefi i kabinetit të liderit të BDI-së, Artan Grubi dhe emra tjerë. Biseda dëshmon edhe njohje të shkëlqyer të gjuhës maqedonase nga ana e Ali Ahmetit.