Transmetuar më 16-12-2014, 19:08

Trajnerit të Romës, Rudi Garcia, i ka kushtuar shtrenjtë reagimi i dhunshëm ndaj një stjuarti në transfertën e Genoas.

Gjykatësi sportiv në Federatën Italiane të Futbollit ka vendosur ta pezullojë 2 javë francezin, për sjellje kërcënuese ndaj pjesëtarit të forcave të sigurisë në stadiumin "Marassi".

Detyrimisht 50 –vjeçari do ta ndjekë nga tribuna supersfidën e javës së 16 të Serisë A, Roma – Milan, por edhe ndeshjen e javës pasardhëse më Udinezen në Friuli.

Por masat ndaj pjesëtarëve të skuadrës verdhekuqe nuk përfundojnë këtu. Mbrojtësi grek Holebas, për gjestin e shëmtuar ndaj publikut vendas në momentin kur po dilte nga fusha, pezullohet një ndeshje, çka do të thotë se Garcia nuk do ta ketë në dispozicion ndaj kuqezinjve.

Pezullohet një javë edhe trajneri i Juventusit, Massimialiano Allegri, për ofendim ndaj zyrtarëve  të ndeshjes në fund të përballjes me Sampdorian në "Juventus Stadium".

Edhe trajneri bardhezi do ta ndjekë nga tribuna takimin me Cagliarin në transfertë.

Klubi i Milanit gjobitet me 15 mijë euro për kore ofenduese ndaj kundërshtarëve napolitanë, ndërsa futbollisti i Kievos, Botas pezullohet tri ndeshje për fyerje ndaj gjyqtarit të takimit me Interin në Bentegodi.