Transmetuar më 26-03-2012, 12:53

Tiranë, 26 mars 2012, NOA- Ngjarja e pazakontë e cila shoqëroi mëngjesin e sotëm kryeqytetin ku disa gra kërcënuan të hidhen nga një pallat në ndërtim e sipër në zonën e “Unazës së Re”, tashmë ka përfunduar në duart e policisë.

Burime zyrtare nga policia thanë për agjencinë e lajmeve noa.al, se lidhur me këtë rast, njoftimi në polici ka shkuar rreth orës 08.30 ku nga informatat thuhej se në tarracën e një pallati ende të papërfunduar pranë Unazës së Re, kanë hipur dhe kërcënojnë që do të hidhen disa femra.

Lidhur me këtë rast pas informacionit të marrë efektivët e policisë shkuan në vendngjarje, dhe sipër pallatit ndodheshin 7 gratë, të cilat kërkonin zgjidhjen e problemeve të pronësisë që kishin me pronarin e firmës ndërtuese.

Pas negociatave të vazhdueshme me to dhe me të afërmit e tyre që ndodheshin poshtë pallatit rreth orës 12.00 gratë u bindën që të bëjnë kallëzim penal ndaj pronarit të pallatit në ndërtim.

Sipas policisë thuhet se aktualisht, gratë protestuese janë paraqitur pranë komisariatit të policisë Nr.6, ku po ju merren kallëzimet përkatëse.

Nga dëshmitë e tyre thuhet se 24 familje kanë bërë kontratë me pronarin e pallatit por nuk i përgjigjet kontratës së nënshkruar prej 3 vitesh dhe nuk u jep hyrjet që u takojnë sipas kontratës.

Sakaq gratë pretendojnë se sipas kontratës ndërtuesi do të kompensonte shtëpitë e prishura me hyrje apartamenti apo dyqane, në pallatin që do të ndërtohej, por nuk po u përgjigjet dhe as po e zbaton marrëveshjen mes tyre.

Nga ana e tij pronari Namik Pelivani në një reagim të tij shprehet se problematika është vetëm me 6 familje që sipas tij kërkojnë të përfitojnë padrejtësisht nga objekti në ndërtim.

a.y/noa.al